Ballina Rajoni Pirro Dhima jep dorëheqjen pas skandalit të dopingut të vëllait, Ministria greke...

Pirro Dhima jep dorëheqjen pas skandalit të dopingut të vëllait, Ministria greke e Sportit s’ia pranon: Çfarë lidhjeje ke ti me këtë çështje?

32
0

Pirro Dhima ka paraqitur dorëheqjen nga posti i këshilltarit special në Ministrinë e Sportit në Greqi, pas shpërthimit të skandalit të dopingut ku është përfshirë vëllai i tij, Odhise Dhima.

Sipas mediave greke, dorëheqja e kampionit olimpik nuk është pranuar nga zëvendësministri i Sportit, Janis Vrutsis.

Vendimi i Pirro Dhimës u mor për arsye të ndjeshmërisë dhe dinjitetit personal, raporton Protothema. Megjithatë Vrutsis nuk e pranoi dorëheqjen e tij, me argumentin se përgjegjësia familjare nuk ekziston në këtë rast. “Çfarë lidhjeje ke ti me këtë çështje?”, raportohet t’i jetë përgjigjur ai.

Pirro Dhima vazhdon të mbajë postin e sekretarit special në Federatën e Peshëngritjes. Peshëngritësi i njohur i ka sjellë Greqisë tri medalje olimpike ari dhe një medalje bronzi.

58-vjeçari Odhise Dhima u arrestua mëngjesin e së enjtes në një zonë të Atikës, për shkelje të ligjit kundër dopingut, pas një hetimi disa mujor të zhvilluar në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF).

Ai akuzohet se furnizonte sportistët me substanca të ndaluara dopingu. Mes rasteve që përmend policia është edhe ai i djalit të tij të mitur, të cilit dyshohet se i dha një substancë të ndaluar gjatë një gare.

Në mostrën e urinës së sportistit të mitur u zbulua oksandrolon, një substancë që figuron në listën e substancave të ndaluara të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA).

Sipas policisë greke, Dhima dyshohet se e shfrytëzonte rolin e tij si trajner peshëngritjeje për t’i furnizuar sportistët me substanca të ndaluara dhe për t’ua administruar ato, të paktën që prej prillit të vitit 2024.

Gjatë kontrolleve në banesën e 58-vjeçarit dhe në ambiente sportive në Atikë, policia gjeti dhe sekuestroi 871 njësi preparatesh farmaceutike të paligjshme dhe substancash dopingu, në formë tabletash dhe ampulash. U sekuestruan gjithashtu 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë, një telefon celular dhe 15 mijë euro.

Sipas Organizatës Kombëtare të Barnave të Greqisë, preparatet e sekuestruara nuk kanë autorizim për t’u tregtuar në tregun grek dhe konsiderohen të dëmshme për shëndetin e personave që i përdorin.