Edi Rama duket se po zbulon gjithnjë e më shumë armiq brenda familjes së tij politike. Të paktën kështu mund të lexohen disa prej deklaratave të kryeministrit në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Socialiste, ku nuk kurseu as ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Madje, për të zgjodhi një etiketim që të kujton fjalorin e Sali Berishës: “ditziu”.
Një ironi e historisë politike shqiptare, ku dy kundërshtarë që kanë kaluar vite duke akuzuar njëri-tjetrin për autoritarizëm dhe paranojë pushteti, përfundojnë duke përdorur të njëjtin fjalor ndaj atyre që nuk u binden.
“Elisa dhe ditziu janë klubi i ish-ministrave të Jashtëm që na tregojnë në rrugën se si duhet të ofrojmë zgjidhje politike për situatën”, është shprehur Rama, duke iu referuar Elisa Spiropalit dhe Ditmir Bushatit.
Kryeministri ka vijuar me akuzën se ata flasin me ndërkombëtarët dhe ambasadat, ndërsa i ka krahasuar me Kastriot Islamin, ish-figurën socialiste që u largua nga PS pas përplasjeve me Ramën.
Në këtë klimë dyshimesh, Rama ka folur edhe për “puçistë” që, sipas tij, do të donin të zbatonin në Shqipëri skenarin hungarez apo atë serb. Por kryeministri ka garantuar se Shqipëria është ndryshe dhe se një skenar i tillë nuk do të lejohet.
Në fjalët e Ramës, këto kontakte dhe lëvizje politike marrin përmasat e një komploti kundër qeverisë dhe sukseseve të saj. Madje, edhe njerëz pranë kryeministrit e pëshpëritin këtë histori nëpër tavolina, sikur të donin të na kujtonin se liderin e madh nuk e kundërshtojnë për mënyrën si qeveris, por e kanë zili për sukseset.
Dikur ishte Sali Berisha ai që shihte komplote dhe armiq brenda partisë së tij, duke i kthyer mosmarrëveshjet politike në çështje besnikërie personale. Sot, Rama duket se po ndjek të njëjtën rrugë. Madje, ka marrë hua edhe fjalorin e kundërshtarit të tij më të madh.
Sa për Ditmir Bushatin, ai është larguar prej kohësh nga qeveria dhe nga politika aktive. Por, me sa duket, për Ramën nuk mjafton të mos jesh më ministër. Duhet edhe të mos flasësh, të mos takosh ambasadorë dhe, mbi të gjitha, të mos mendosh ndryshe nga kryeministri./Vna





