Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar jashtë Kuvendit pas largimit të opozitës nga salla gjatë fjalës së Kryeministrit Edi Rama.
Ai e quajti Ramën “Padrino i Shqipërisë” dhe e akuzoi për përfitime nga aferat e AKSHI-t, inceneratorëve, aeroportit të Vlorës, tunelit të Llogarasë dhe Portit të Durrësit.
Berisha ngriti gjithashtu shqetësimin për dhunën ndaj protestuesve dhe studentëve, duke thënë se ata kërkojnë një qeveri legjitime dhe zgjedhje të ndershme.
Ai shtoi se opozita do t’i shprehë kritikat edhe brenda Kuvendit, duke pretenduar se Rama largohet kur përballet me akuzat e tyre.
Në përfundim, kreu i PD-së akuzoi kryeministrin se, përmes asaj që ai i cilësoi si vjedhje të mëdha, po varfëron shqiptarët nga viti në vit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se të ardhurat e tij të depozituara në bankat offshore kanë kaluar 2 miliardë euro.
Në një prononcim për mediat, pasi opozita braktisi sallën e Kuvendit gjatë kohës që Rama po mbante fjalën për Buxhetin 2027, Berisha komentoi raportin e fundit të Eurostat-it për të ardhurat dhe varfërinë në Shqipëri. Sipas tij, rritja e të ardhurave për frymë nuk pasqyron realitetin ekonomik të qytetarëve, pasi, siç pretendoi ai, përllogaritjet janë bërë mbi një numër më të vogël të popullsisë, duke lënë jashtë rreth 500 mijë shqiptarë.
“Shqipëria është i vetmi vend në botë që të ardhurat për frymë shtohen, por varfëria rritet, sepse të ardhurat për frymë të shtuara janë të falsifikuara. Pse janë fake? Për arsye se Fondi Monetar ka pjesëtuar produktin e përgjithshëm bruto me një numër shumë të vogël shqiptarësh, me 500 mijë shqiptarë më pak. Dhe kjo ka bërë që nga vjet gjer sivjet, të ardhurat të duken 1 mijë dollarë më shumë”, u shpreh Berisha.
Ai pretendoi gjithashtu se zhvlerësimi i dollarit, të cilin e lidhi me atë që e cilësoi si “narkodollarë”, ka ndikuar në rritjen e shifrave të të ardhurave, ndërsa qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike.
Më tej, Berisha akuzoi kryeministrin se, sipas tij, ka persona të besuar në sektorë të ndryshëm të prokurimeve dhe ekonomisë, të cilët i cilësoi si “Gysët” e Ramës, duke iu referuar Ergys Agasit.
“Të ardhurat e shqiptarëve grabiten në mënyrën më të paskrupullt nga lukunia, nga organizata kriminale që quhet qeveri dhe Padrino, i cili ka Gysët. Mos harroni një gjë, Ergys Agasi, Edi Rama e ka në çdo sektor të prokurimeve dhe ekonomisë. Ato që vidhte me Gysin tek AKSHI, ato i vjedh me Gysin e shëndetësisë, me Gysin e energjetikës, me Gysin e infrastrukturës. Pra, në të gjitha fushat ai ka Gysët e vet”, u shpreh Berisha.
Në vijim, ai pretendoi se pasuritë e kryeministrit të depozituara në bankat offshore janë rritur ndjeshëm, duke kaluar, sipas tij, 2 miliardë euro.
“Të ardhurat e tij në bankat offshore, të cilat sipas OSBE-së në vitin 2014 ishin 200 milionë, sot kanë kaluar në të paktën minimumi 2 miliardë euro. Por unë zotohem para shqiptarëve se do gjenden. Fatmirësisht gjurmët janë”, tha Berisha.







