Ballina Politika Etleva Budini hesht për dosjen e vjedhjes së pensioneve në Durrës, ul...

Etleva Budini hesht për dosjen e vjedhjes së pensioneve në Durrës, ul kokën pas kërkesës së llogarisë në Komision

72
0

Vjedhja e miliona lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku bëhet fjalë për fondet e pensionistëve, ka marrë tashmë vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme, e cila pritet të hetojë të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe çdo përgjegjësi të mundshme penale.

Në këtë kontekst, emri i deputetes socialiste Etleva Budini është përmendur në lidhje me dosjen, duke ngritur pikëpyetje që kërkojnë sqarim dhe transparencë.

Por ajo që ra në sy gjatë mbledhjes së radhës të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ishte qëndrimi i vetë deputetes Budini.

Ndërsa në rendin e ditës vijonte diskutimi për disa institucione që kërkonin fonde shtesë nga buxheti i shtetit për blerjen e automjeteve të reja, Budini zgjodhi të lexonte relacionin e përgatitur, pa bërë asnjë koment lidhur me çështjen që tashmë ka ngjallur interes të madh publik.

Situata mori një tjetër drejtim kur kryetarja e Komisionit, deputetja demokrate Jorida Tabaku, kërkoi që çështja e vjedhjes së pensioneve në Durrës të përfshihej në diskutim.

Tabaku e cilësoi ngjarjen si tepër të rëndë, duke theksuar se bëhet fjalë për para që u përkasin pensionistëve, një kategori e qytetarëve që mbështetet te pensioni për të përballuar nevojat e përditshme.

“Sot SPAK-u njoftoi se ka nisur një hetim sa i përket çështjes së vjedhjes së pensioneve në Postën e Durrësit. Është një çështje e rëndë që kërkon transparencë. Janë vjedhur fonde kudo, por të vjedhësh lekët e pensionistëve është një minimum që nuk e kishte shkelur askush. Kjo çështje duhet të diskutohet në këtë Komision”, tha Tabaku.

Pavarësisht kërkesës së kryetares, Budini nuk reagoi. Ajo uli kokën dhe vijoi të qëndronte e heshtur, ndërsa debati u zhvendos te një koleg i saj socialist, i cili ndërhyri duke replikuar me Tabakun.

Një moment që nuk kaloi pa u vënë re, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes dhe nevojën për transparencë nga përfaqësuesit politikë.