118 vite pas Kongresit të Manastirit, Edi Rama ka gjetur një mënyrë për t’u bërë pjesë e historisë. Kryeministri ka përdorur inteligjencën artificiale për të futur veten në fotografinë historike të Kongresit të vitit 1908, mes figurave që hodhën themelet e alfabetit shqip.
Fotografinë e përpunuar, Rama e ka publikuar në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me mbishkrimin: “Në shtëpinë e Kongresit të Manastirit”.
Në imazh, kryeministri shqiptar shfaqet në këmbë, në qendër të rreshtit të pasmë, i veshur me kostum të zi dhe kravatë të kuqe. Ai është vendosur mes personaliteteve historike, ndërsa fotografia paraqet në ngjyra anëtarët e Komisionit të Alfabetit, të ulur rreth një tryeze, me shkronjat e gjuhës shqipe të vendosura në sfond.
Përmes këtij imazhi të krijuar me inteligjencë artificiale, Rama është përfshirë simbolikisht në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, e cila shënoi një moment vendimtar për njësimin e shkrimit të gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit nisi punimet më 14 nëntor 1908, në ambientet e klubit “Bashkimi” në Manastir, dhe zgjati nëntë ditë. Në të morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri shqiptare. Punimet u drejtuan nga Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi.
Më 16 nëntor u formua Komisioni i Alfabetit, me 11 anëtarë, nën drejtimin e Atë Gjergj Fishtës. Në përbërje të tij ishin edhe personalitete të njohura të Rilindjes Kombëtare, si Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda dhe Mithat Frashëri.
Pikërisht anëtarët e këtij komisioni janë ata që shfaqen në fotografinë historike të ripërpunuar nga Rama, i cili përmes inteligjencës artificiale ka shtuar edhe veten në mesin e tyre.
Më 20 nëntor, komisioni paraqiti vendimin për alfabetin e gjuhës shqipe, i cili u miratua nga delegatët. Kongresi i përfundoi punimet më 22 nëntor 1908, datë që sot shënohet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.







