Ballina Kosovë Inflacioni 7.1% në Kosovë, ekspertët ngrenë alarmin: Qeveria të ndërhyjë, po ndikon...

Inflacioni 7.1% në Kosovë, ekspertët ngrenë alarmin: Qeveria të ndërhyjë, po ndikon në jetesën e qytetarëve

21
0

Ekspertët vlerësojnë se inflacioni prej 7.1 për qind në Kosovë po rëndon veçanërisht qytetarët me të ardhura të ulëta, ndaj ato kërkojnë që qeveria të marrë masa për zbutjen e tij.

“Një normë kaq e madhe, ose dyfishimi në raport me rajonin, për mendimin tim, është shqetësues sepse sigurisht që ndikohet jashtëzakonisht shumë tek qytetarët të cilët kanë të ardhura të vogla.

Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin hapa të duhur, në mënyrë që të ulin këtë inflacion, i cili po ndikon në jetesën e qytetarëve”, tha Lulzim Beqiri.

“Qeveria duhet të gjejë mekanizma për të luftuar inflacionin dhe në këtë drejtim manevrimi apo oscilimi, qoftë me akcizën në produkte strategjike, qoftë në përgjysmimin apo ngrirjen e tatimit në vlerën e shtuar në produkte esenciale, ndoshta kishte me qenë vetë një ndihmë që do të ndikonte në shportën e qytetarit”, tha Safet Gërxhaliu, ish-kryetari i Dhomës Ekonomike të Kosovës.

Ekspertet kanë identifikuar si shkak te rritjes se inflacionit varësinë e lartë nga importi, kostot e energjisë elektrike dhe transportit, si dhe mungesën e mbikëqyrjes së tregut si faktorë që ndikojnë në rritjen e çmimeve.

“Në realitet, shumë qytetarë, rreth 25.000 familje ballafaqohen me mbijetesë, me një numër rreth 100.000 qytetarë apo 1/3 e popullsisë e cila varet nga ndihmat e shtetit.

Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që të ndërmerren masa sidomos në uljen e kostos së energjisë elektrike, pastaj mbështetjen e bizneseve, sidomos bizneseve prodhuese në mënyrë që me ulë sadopak varësinë nga importi”, shtoi Beqiri.

“Nuk jetohet nga ndihmat sociale, duhet vërtet të jemi të orientuar drejt zhvillimit ekonomik dhe ky zhvillim ekonomik duhet të përfshijë në partneritet sektorin privat dhe në veçanti sektorin prodhues”, theksoi Gërxhaliu.