Ballina Opinion Mesdheu në hijen e luftës

Mesdheu në hijen e luftës

42
0

Shqipëria, NATO dhe shtrirja strategjike e Rusisë – nga akuzat ndaj Tiranës te bazat ushtarake ruse në Libi, Ballkan dhe korridoret strategjike detare

Nga Isuf B.Bajrami

Shqipëria përballë një pretendimi që kërkon prova. Shqipëria është përfshirë në një zhvillim me dimension ndërkombëtar pas sulmit me dronë ndaj një anijeje luftarake ruse në portin e Bengazit, në Libinë lindore. Në disa raportime është ngritur pretendimi se mjetet pa ekuipazh të përdorura në këtë operacion mund të jenë nisur nga territori shqiptar.

Një pretendim i tillë nuk është i zakonshëm. Ai prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, sidomos duke pasur parasysh anëtarësimin e saj në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Pikërisht për këtë arsye, një akuzë e tillë nuk mund të trajtohet si fakt pa prova të verifikueshme.

Më 23 nëntor 2026, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë reagoi zyrtarisht, duke i cilësuar raportimet si të pasakta dhe duke mohuar kategorikisht përfshirjen e vendit në këtë incident. Ministria deklaroi se territori shqiptar nuk ishte përdorur dhe as nuk ishte vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e sulmit.[1]

Ky reagim duhet marrë seriozisht. Në çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, përgjegjësia për të paraqitur prova i takon atij që ngre pretendimin.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, më 23 nëntor, konfirmoi publikisht se forcat ukrainase kishin realizuar operacionin në Bengazi. Sipas deklarimit të tij, ishin përdorur shtatë mjete detare pa ekuipazh të prodhimit ukrainas, ndërsa objektivat përfshinin korvetën ruse Merkury, anijen transportuese MV Angara dhe një helikopter ushtarak Ka-27.[2]

Ky konfirmim e bën të domosdoshme që ngjarja të analizohet në kontekstin e luftës Rusi–Ukrainë, por nuk provon në asnjë mënyrë përfshirjen e Shqipërisë.

Prandaj, duhet të jemi të qartë: nuk mund të fajësohet një shtet sovran për një operacion ushtarak vetëm mbi bazën e pretendimeve të pakonfirmuara.

Shqipëria nuk mund të bëhet objekt i fajësimit politik për veprime që nuk është vërtetuar se i ka organizuar, lejuar apo mbështetur.

Por kjo çështje ngre një pyetje më të gjerë: pse një anije luftarake ruse ndodhej në Bengazi? Çfarë kërkon Moska në Libi? Dhe pse Mesdheu po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një hapësirë ku përplasen interesat ushtarake të Rusisë, Ukrainës dhe fuqive perëndimore?

Shqipëria në NATO – sovraniteti, siguria dhe përgjegjësia ndërkombëtare

Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga 1 prilli 2009. Ky anëtarësim përfaqëson një orientim strategjik dhe një garanci të rëndësishme për sigurinë kombëtare, por njëkohësisht nënkupton edhe përgjegjësi për respektimin e parimeve të Aleancës dhe të së drejtës ndërkombëtare.[3]

Traktati i Atlantikut të Veriut, përmes neneve 1, 3, 4 dhe 5, përcakton bazën e këtij bashkëpunimi.

Neni 1 kërkon zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe përmbajtjen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në kundërshtim me Kartën e OKB-së.

Neni 3 përcakton detyrimin për zhvillimin e kapaciteteve individuale dhe kolektive të mbrojtjes.

Neni 4 parashikon konsultimet ndërmjet aleatëve kur kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria e njërit prej tyre.

Ndërsa neni 5 përcakton parimin e mbrojtjes kolektive në rast të një sulmi të armatosur ndaj një vendi anëtar.[4]

Kjo do të thotë se Shqipëria ka të drejtë të mbrojë territorin, hapësirën ajrore, ujërat territoriale, institucionet dhe sigurinë kombëtare.

Anëtarësimi në NATO nuk nënkupton që çdo operacion i një vendi aleat është automatikisht operacion i Aleancës. Po ashtu, nuk nënkupton se territori shqiptar mund të përdoret pa autorizim për aktivitete ushtarake të palëve të treta.

Çdo aktivitet i tillë duhet të ketë bazë të vlefshme juridike.

Shqipëria ka të drejtë të bashkëpunojë me aleatët dhe partnerët e saj në fushën e sigurisë, por çdo vendim për përdorimin e territorit dhe kapaciteteve kombëtare duhet të jetë në përputhje me legjislacionin shqiptar, detyrimet e NATO-s dhe të drejtën ndërkombëtare.

Këtu qëndron edhe rëndësia e reagimit të Tiranës: një pretendim i tillë nuk mund të shndërrohet në fakt politik apo diplomatik pa prova konkrete.

Neni 51 i Kartës së OKB-së – e drejta e Shqipërisë dhe Ukrainës për vetëmbrojtje

Për ta kuptuar drejt këtë çështje, duhet të ndalemi te një prej dispozitave më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare: neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Ai njeh të drejtën e natyrshme të vetëmbrojtjes individuale dhe kolektive në rast të një sulmi të armatosur kundër një shteti anëtar të OKB-së, deri në momentin kur Këshilli i Sigurimit të marrë masat e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.[5]

Kjo dispozitë ka rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për Shqipërinë.

Si shtet sovran, Shqipëria ka të drejtë të mbrojë integritetin territorial, hapësirën ajrore, ujërat territoriale dhe institucionet e saj nga një sulm i armatosur. Nëse do të përballej me një sulm të tillë, ajo do të kishte të drejtën e vetëmbrojtjes individuale dhe mundësinë për të kërkuar ndihmë kolektive nga aleatët.

Kjo e drejtë nuk varet nga vullneti i ndonjë fuqie të madhe, por buron drejtpërdrejt nga Karta e OKB-së.

Duhet të dallojmë, megjithatë, kërcënimin, provokimin, shkeljen e hapësirës ajrore dhe sulmin e armatosur. Jo çdo incident aktivizon automatikisht nenin 51 apo nenin 5 të NATO-s. Vlerësimi bëhet sipas natyrës, shkallës dhe rrethanave konkrete të ngjarjes.

Për Shqipërinë, kjo ka rëndësi të veçantë në një kohë kur aktivitetet ushtarake dhe tensionet në Mesdhe po shtohen.

Asnjë shtet nuk ka të drejtë të cenojë sovranitetin shqiptar, të përdorë territorin e tij pa autorizim apo të kërcënojë sigurinë e tij.

Në të njëjtën kohë, neni 51 njeh edhe vetëmbrojtjen kolektive. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të kuptuar mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën.

Më 24 shkurt 2022, Federata Ruse nisi pushtimin e plotë ushtarak të Ukrainës. Më 2 mars 2022, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën ES-11/1 me 141 vota pro, duke dënuar agresionin rus dhe duke kërkuar tërheqjen e forcave ruse nga territori ukrainas.[6]

Ukraina, si shtet i sulmuar, ushtron të drejtën e vetëmbrojtjes individuale. Shtetet e tjera mund ta ndihmojnë në kuadër të vetëmbrojtjes kolektive, duke respektuar kushtet juridike përkatëse.

Kjo ndihmë mund të përfshijë pajisje ushtarake, armatim, municione, trajnim, informacion dhe forma të tjera mbështetjeje.

Megjithatë, ekziston një dallim juridik që duhet respektuar: e drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje nuk e bën automatikisht të ligjshëm çdo operacion ushtarak që ajo ndërmerr.

Çdo operacion duhet të vlerësohet sipas domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit, së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe respektimit të sovranitetit të shteteve të treta.

Në çështjen Nicaragua kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vitit 1986, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë trajtoi kushtet juridike të vetëmbrojtjes kolektive, përfshirë rëndësinë e kërkesës për ndihmë nga shteti i sulmuar.[7]

Prandaj, as Shqipëria dhe as Ukraina nuk kanë nevojë për lejen e një fuqie tjetër për të gëzuar të drejtat e tyre themelore. Ato i kanë këto të drejta në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Shqipëria ka të drejtën të mbrojë sovranitetin e saj. Ukraina ka të drejtën të mbrohet nga agresioni rus. Dhe këto të drejta duhet të respektohen pa standarde të dyfishta.

Bengazi – goditja që ekspozoi praninë ushtarake ruse në Libi

Më 22 nëntor 2026, një shpërthim i fuqishëm u raportua në bazën detare të Bengazit, në Libinë lindore.

Objektiv ishte korveta ruse Merkury, një anije e marinës ruse e klasës Project 20380, e futur në shërbim në vitin 2023.

Sipas autoriteteve të Libisë lindore, anija ishte ndalur në port për furnizim me karburant dhe pajisje, në kuadër të bashkëpunimit me Rusinë.

Hetimet paraprake të autoriteteve libiane folën për një sulm të mundshëm me dronë detarë. Sipas raportimit të Associated Press, gjashtë mjete kishin synuar anijen, katër ishin interceptuar dhe dy kishin arritur objektivin.[8]

Pamjet satelitore treguan se korveta ishte përmbysur dhe pjesa më e madhe e saj kishte përfunduar nën ujë.

Më 23 nëntor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se forcat ukrainase kishin realizuar operacionin, duke deklaruar se ishin përdorur shtatë mjete detare pa ekuipazh të prodhimit ukrainas.

Sipas deklarimit të tij, objektivat përfshinin korvetën Merkury, anijen transportuese MV Angara dhe një helikopter ushtarak Ka-27.[2]

Ky zhvillim ka rëndësi shumë më të madhe sesa humbja e një anijeje luftarake. Ai tregon se infrastruktura dhe asetet ruse në Mesdhe nuk janë më jashtë ndikimit të luftës që po zhvillohet në Ukrainë.

Por ekziston edhe një çështje tjetër: operacioni u zhvillua në territorin e një shteti të tretë, i cili nuk është palë në luftën Rusi–Ukrainë.

Libia është e ndarë politikisht ndërmjet autoriteteve rivale në Tripoli dhe strukturave të pushtetit në lindje, të lidhura me Khalifa Haftarit.

Autoritetet e Libisë lindore e dënuan sulmin si cenim të sovranitetit të vendit dhe kërkuan hetim ndërkombëtar. Ndërkohë, qeveria në Tripoli shprehu kundërshtimin ndaj shndërrimit të porteve dhe objekteve civile libiane në arena të konflikteve të jashtme.[9]

Këtu duhet të dallojmë dy çështje juridike.

E drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje është njëra. Ligjshmëria e një operacioni ushtarak në territorin e Libisë është çështje tjetër.

Duhet shqyrtuar nëse operacioni është kryer me pëlqimin e vlefshëm të autoriteteve libiane, nëse është cenuar sovraniteti i vendit dhe nëse janë respektuar rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Po kështu, nuk ka prova të mjaftueshme për të shpallur hyrjen e korvetës ruse në portin e Bengazit si të paligjshme. Autoritetet e Libisë lindore kanë deklaruar se anija ishte ankoruar në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Rusinë.

Por kjo nuk e përjashton shqyrtimin e natyrës së misionit të saj dhe të rolit që mund të ketë pasur në aktivitetet ushtarake ruse në Afrikë.

Libia – pika strategjike e Moskës në Afrikën Veriore

Për ta kuptuar rëndësinë e Bengazit, duhet parë prania ruse në Libinë lindore dhe jugore.

Pas rrëzimit të regjimit të Muammar Gaddafit në vitin 2011, Libia nuk arriti të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm institucional. Vendi mbeti i ndarë ndërmjet strukturave rivale politike dhe ushtarake.

Kjo situatë i krijoi Rusisë mundësi për të zgjeruar ndikimin përmes marrëdhënieve me Khalifa Haftarit dhe forcat që kontrollojnë pjesë të rëndësishme të lindjes dhe jugut të vendit.

Rëndësia e Libisë për Moskën nuk kufizohet te një port apo një bazë e vetme.

Një studim i publikuar nga Tearline më 3 qershor 2026, i bazuar në imazhe satelitore dhe burime të hapura, identifikon zhvillime infrastrukturore në gjashtë baza ajrore libiane ku raportohet prani ose qasje operative e strukturave ruse.[10]

Ndër instalimet kryesore përmenden:

Al-Khadim, pranë Bengazit.
Al-Jufra, në pjesën qendrore të vendit.
Al-Qardabiya, pranë Sirtit.
Tamanhint, në jug, pranë Sabha-s.
Brak al-Shati, në rajonin e Fezzanit.
Maaten al-Sarra, në juglindje, pranë kufijve me Çadin dhe Sudanin.
Këto nuk janë gjashtë baza sovrane ruse. Bëhet fjalë për instalime libiane ku janë evidentuar zhvillime infrastrukturore dhe ku raportohen personel, pajisje apo qasje operative ruse.

Në këto objekte janë identifikuar zhvillime në hangarë, pista, infrastrukturë mbështetëse dhe objekte akomodimi.

Një rol të veçantë në këtë rrjet luan Africa Corps, strukturë e lidhur drejtpërdrejt me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, e cila ka marrë përsipër një pjesë të funksioneve të mëparshme të Wagner Group.

Rëndësia e Libisë për Moskën është e dyfishtë: ajo siguron një pikë mbështetjeje në Mesdhe dhe një korridor për aktivitetin rus në Afrikën Qendrore dhe rajonin e Sahelit.

Kjo shpjegon pse goditja e mjeteve ruse në Bengazi ka rëndësi shumë më të madhe sesa humbja e një anijeje. Ajo prek një rrjet të tërë interesash ushtarake dhe logjistike.

Nga Siria në Libi – ndryshimi i arkitekturës ruse në Mesdhe

Për shumë vite, Siria ishte baza kryesore e pranisë ushtarake ruse në Mesdhe.

Porti i Tartusit i mundësonte Moskës të mbante një pikë mbështetjeje detare, ndërsa baza ajrore e Hmeimimit shërbente si qendër për operacionet ajrore dhe transportin ushtarak.

Rënia e regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor 2024 ndryshoi kushtet e pranisë ruse.

Rusia u detyrua të rishikonte marrëdhëniet dhe pozicionin e saj në Siri, duke e bërë të ardhmen e instalimeve ushtarake më të varur nga negociatat me autoritetet e reja.

Në këtë kontekst, Libia merr rëndësi edhe më të madhe për Moskën.

Ajo mund të shërbejë si pikë alternative për mbështetjen e operacioneve ruse në Afrikë dhe për ruajtjen e qasjes në Mesdhe.

Për Moskën, humbja e lirisë së dikurshme të veprimit në Siri nuk është thjesht problem dypalësh. Ajo prek të gjithë arkitekturën e saj ushtarake dhe logjistike në rajon.

Bosfori – porta strategjike ndërmjet Detit të Zi dhe Mesdheut

Në këtë hartë gjeopolitike, Turqia ka një pozitë të pazëvendësueshme.

Ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve lidhin Detin e Zi me Mesdheun dhe përbëjnë një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.

Regjimi i tyre juridik përcaktohet nga Konventa e Montreux e vitit 1936, e cila rregullon kalimin e anijeve tregtare dhe luftarake.

Pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, Turqia zbatoi nenin 19 të Konventës, duke kufizuar kalimin e anijeve luftarake të shteteve ndërluftuese, me përjashtimet që parashikon vetë konventa.[11]

Ky vendim e bëri Ankaranë një aktor kyç në ruajtjen e ekuilibrit detar në Detin e Zi.

Por rreziku nuk kufizohet vetëm te anijet luftarake.

Më 28 dhe 29 nëntor 2025, cisternat Kairos dhe Virat, të lidhura me flotën ruse në hije, u goditën nga dronë detarë në Detin e Zi, pranë brigjeve turke. Ukraina mori përgjegjësinë për sulmet, ndërsa autoritetet turke shprehën shqetësim për rrezikun ndaj sigurisë detare.[12]

Është e rëndësishme të sqarohet se këto incidente ndodhën në Detin e Zi, pranë Turqisë, dhe jo brenda ngushticës së Bosforit.

Megjithatë, afërsia e tyre me korridorin e ngushticave tregon se lufta po krijon rreziqe për transportin tregtar dhe sigurinë e lundrimit në të gjithë rajonin.

Për Turqinë, kjo është çështje e drejtpërdrejtë e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare. Për tregtinë ndërkombëtare, është rrezik që prek transportin e energjisë, sigurimin detar dhe zinxhirët e furnizimit.

Mesdheu qendror – cisterna Arctic Metagaz dhe rreziku për sigurinë detare

Një tjetër incident i rëndësishëm u regjistrua më 3 mars 2026, kur cisterna ruse e gazit të lëngshëm natyror Arctic Metagaz mori flakë në Mesdhe, në zonën detare ndërmjet Maltës dhe Libisë.

Anija ishte e lidhur me flotën ruse në hije dhe ishte subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.

Raportimet fillestare folën për një sulm të mundshëm me dron detar, ndërsa Ukraina u dyshua për përfshirje, pa marrë publikisht përgjegjësinë.

Autoritetet malteze konfirmuan se ekuipazhi ishte gjetur i sigurt në një varkë shpëtimi brenda zonës së kërkim-shpëtimit të Libisë.

Më vonë, Italia u përball me problemin e menaxhimit të cisternës së dëmtuar, e cila vazhdonte të qëndronte në det, ndërsa ekzistonte shqetësimi për rrezikun e ndotjes dhe sigurinë e lundrimit.[13]

Ky incident është i rëndësishëm për dy arsye.

Së pari, tregon se lufta po prek edhe anijet që transportojnë energji dhe që janë pjesë e rrjeteve ekonomike ruse.

Së dyti, demonstron se pasojat nuk kufizohen te palët ndërluftuese. Një cisternë e dëmtuar në Mesdhe mund të krijojë rrezik për brigjet e Maltës, Italisë dhe Libisë, si dhe për të gjithë trafikun detar përreth.

Jo çdo anije e lidhur me Rusinë është automatikisht objektiv ushtarak. Statusi i secilës anije, ngarkesa, përdorimi dhe kontributi i saj në operacionet ushtarake duhet të vlerësohen veçmas.

Por po aq e rëndësishme është që transporti energjetik të mos përdoret si mbulesë për shmangien e sanksioneve dhe aktivitete të paligjshme.

Flota ruse në hije – një problem për sigurinë ndërkombëtare

Flota ruse në hije përbën një nga problemet më të mëdha të sigurisë detare dhe zbatimit të sanksioneve.

Ajo përfshin qindra anije, kryesisht cisterna, të cilat përdoren për transportin e naftës dhe produkteve energjetike ruse, shpesh përmes strukturave të ndërlikuara të pronësisë dhe regjistrimeve nën flamuj të ndryshëm.

Këshilli i Bashkimit Evropian ka dokumentuar përdorimin e praktikave si fikja e sistemeve të identifikimit AIS, përdorimi i flamujve të rremë dhe strukturat e paqarta të pronësisë për të fshehur origjinën dhe destinacionin e ngarkesave.[14]

Problemi nuk është vetëm ekonomik.

Anijet e vjetra, me mirëmbajtje të dobët dhe me përgjegjësi të paqarta sigurimi, mund të shkaktojnë katastrofa mjedisore. Ato mund të rrezikojnë brigjet, portet, infrastrukturën nënujore dhe trafikun ndërkombëtar.

Rusia ka të drejtë të eksportojë energji dhe të përdorë rrugët detare ndërkombëtare. Por kjo e drejtë nuk përfshin mashtrimin, falsifikimin e dokumenteve, shmangien e paligjshme të sanksioneve apo rrezikimin e sigurisë së lundrimit.

Liria e detit nuk mund të shndërrohet në imunitet ndaj ligjit.

Rrjeti ushtarak rus jashtë kufijve – nga Libia dhe Siria deri në Ballkan

Për ta kuptuar plotësisht rëndësinë e Libisë, duhet të shohim rrjetin më të gjerë të pranisë ushtarake ruse.

Moska ka krijuar një sistem të shpërndarë të bazave, instalimeve dhe pikave të mbështetjes në disa kontinente. Megjithatë, jo të gjitha këto objekte kanë të njëjtin status juridik apo funksion ushtarak.

Në Bjellorusi, Rusia ka një integrim të thellë ushtarak me autoritetet vendase dhe përdor infrastrukturë strategjike ajrore, tokësore dhe të komunikimit.

Në Armeni, Rusia ka bazën e 102-të ushtarake në Gyumri, të mbështetur në marrëveshje dypalëshe.

Në Taxhikistan ndodhet baza e 201-të ruse, ndërsa në Kirgistan funksionon baza ajrore Kant.

Në Afrikë, përmes Africa Corps, Rusia ka zgjeruar bashkëpunimin ushtarak dhe të sigurisë në Mali, Niger dhe Burkina Faso, si dhe në Republikën e Afrikës Qendrore.

Në këto vende, Moska ka lidhur marrëveshje me autoritetet vendase, duke ofruar trajnim, pajisje dhe personel sigurie, ndërsa në disa raste ka siguruar qasje në burime natyrore dhe infrastrukturë strategjike.

Ky rrjet tregon se Rusia nuk e sheh Mesdheun si një hapësirë të izoluar. Ai është pjesë e një sistemi më të gjerë interesash që lidh Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Serbia dhe Qendra Ruso-Serbe në Nish

Në Ballkan, një rast që meriton vëmendje është Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish.

E themeluar në vitin 2012, ajo ka mandat zyrtar për bashkëpunim në menaxhimin e emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, zjarreve dhe operacioneve të shpëtimit.

Megjithatë, që nga themelimi, qendra ka qenë objekt debatesh për transparencën, financimin dhe kërkesat ruse për një status të veçantë diplomatik për personelin e saj.

Këto çështje kanë nxitur shqetësime në qarqet politike dhe të sigurisë në Serbi dhe në Perëndim.

Nuk ka prova publike të verifikuara që e klasifikojnë qendrën në Nish si bazë ushtarake ruse apo si qendër operative të inteligjencës. Por mungesa e transparencës, debatet për statusin e personelit dhe pozita e saj pranë infrastrukturës strategjike janë arsye të mjaftueshme që aktiviteti i saj të ndiqet me vëmendje institucionale.[15]

Për Kosovën dhe rajonin, rëndësia e këtij institucioni lidhet edhe me marrëdhëniet e veçanta politike dhe ushtarake ndërmjet Beogradit dhe Moskës.

Kjo çështje duhet trajtuar me kujdes, pa e ngatërruar dyshimin politik me një fakt të provuar.

Mesdheu nuk është oborr i Rusisë – e drejta ndërkombëtare duhet respektuar

Të gjitha këto zhvillime na çojnë te një çështje themelore: respektimi i së drejtës ndërkombëtare të detit.

Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, UNCLOS, përcakton se shteti bregdetar ushtron sovranitet mbi detin territorial, i cili mund të shtrihet deri në 12 milje detare nga vijat bazë.[16]

Anijet e huaja gëzojnë të drejtën e kalimit paqësor, por kjo e drejtë nuk është e pakufizuar.

Neni 19 përcakton se kalimi nuk është paqësor nëse cenon paqen, rendin ose sigurinë e shtetit bregdetar.

Ndër aktivitetet e papajtueshme me këtë të drejtë përfshihen ushtrimet me armë, kërcënimi me forcë, mbledhja e informacionit në dëm të sigurisë së shtetit dhe aktivitete të tjera që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me kalimin.

Neni 25 i jep shtetit bregdetar të drejtën të marrë masat e nevojshme për të parandaluar kalimin që nuk është paqësor.

Për anijet luftarake, neni 30 përcakton se shteti bregdetar mund t’i kërkojë një anijeje luftarake të largohet menjëherë nëse ajo nuk respekton ligjet dhe rregullat për kalimin në detin territorial dhe shpërfill kërkesën për zbatimin e tyre.

Këto dispozita vlejnë për të gjitha shtetet, përfshirë Federatën Ruse.

Duhet bërë edhe një dallim tjetër juridik: hyrja në ujërat territoriale, kalimi nëpër to dhe ankorimi në një port nuk janë e njëjta gjë. Hyrja në portet e një shteti bëhet sipas autorizimeve dhe kushteve që përcakton shteti pritës.

Prandaj, nuk duhet të shpallim një hyrje të paligjshme pa pasur prova përkatëse.

Por parimi themelor mbetet i pandryshuar: Rusia nuk mund të pretendojë respektim të pakushtëzuar të të drejtave të saj detare, ndërkohë që shpërfill sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të tjera.

Asnjë fuqi nuk është mbi ligjin.

Përgjegjësia e Rusisë dhe standardet e dyfishta

Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022 u dënua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës ES-11/1, të miratuar me 141 vota pro.[6]

Ky qëndrim ndërkombëtar duhet të jetë pikënisja e çdo analize për veprimet ruse në rajon.

Rusia ka të drejtë të mbajë flotë ushtarake, të lundrojë në ujërat ndërkombëtare dhe të mbrojë interesat e saj legjitime.

Por nuk ka të drejtë të përdorë forcën kundër sovranitetit të shteteve të tjera, të shpërfillë rregullat e lundrimit apo të shndërrojë infrastrukturën civile të vendeve të treta në platforma për aktivitete të paligjshme.

Megjithatë, kritika ndaj Moskës nuk na përjashton nga detyrimi për të vlerësuar edhe veprimet e Ukrainës sipas ligjit ndërkombëtar.

Një anije luftarake që kontribuon drejtpërdrejt në kapacitetet ushtarake të një pale mund të jetë objektiv ushtarak sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare. Por kjo nuk e zgjidh automatikisht çështjen e përdorimit të territorit të një shteti të tretë pa pëlqimin e tij.

Në rastin e Bengazit, duhet të hetohet nëse operacioni është kryer me dijeninë ose pëlqimin e vlefshëm të autoriteteve libiane, nëse është cenuar sovraniteti i vendit dhe nëse janë respektuar rregullat për mbrojtjen e personave dhe objekteve civile.

Ky është standardi që duhet zbatuar për të gjithë.

Përfundim – Shqipëria duhet të mbrojë sovranitetin, Mesdheu duhet të mbrojë ligjin

Nga akuzat ndaj Shqipërisë te goditja e korvetës ruse në Bengazi, nga infrastruktura ushtarake në Libinë lindore te cisternat pranë Maltës dhe incidentet në Detin e Zi, zhvillimet e viteve të fundit tregojnë se lufta Rusi–Ukrainë ka marrë një dimension shumë më të gjerë gjeografik.

Mesdheu është shndërruar në një hapësirë ku ndërthuren interesat ushtarake, ekonomike dhe energjetike të fuqive të mëdha.

Rusia po përpiqet të ruajë rrjetin e saj të pranisë në Afrikë dhe të mbrojë korridoret logjistike që lidhin portet, bazat dhe strukturat e saj ushtarake.

Ukraina, nga ana tjetër, po kërkon të godasë asetet që i konsideron pjesë të makinerisë ushtarake ruse, duke e zgjeruar presionin përtej frontit të drejtpërdrejtë.

Turqia përpiqet të ruajë ekuilibrin në ngushticat strategjike. Italia, Malta dhe Greqia përballen me rreziqe që lidhen me sigurinë e transportit detar dhe energjetik.

Libia rrezikon të shndërrohet në një hapësirë ku përplasjet ndërkombëtare zhvillohen mbi një shtet që ende nuk ka arritur të konsolidojë sovranitetin dhe institucionet e veta.

Në këtë realitet, Shqipëria duhet të jetë veçanërisht e kujdesshme.

Si anëtare e NATO-s, ajo ka të drejtë të mbrojë sovranitetin dhe sigurinë e saj, të kërkojë konsultime me aleatët kur kërcënohet dhe të përdorë mekanizmat e mbrojtjes kolektive në rastet që parashikojnë traktatet.

Por po aq e rëndësishme është që territori shqiptar të mos përfshihet në operacione të paligjshme dhe që institucionet shqiptare të mos bëhen objekt i akuzave të pabazuara.

Rusia duhet të respektojë sovranitetin e shteteve, të drejtën ndërkombëtare dhe konventat që rregullojnë lundrimin.

Flota e saj nuk mund ta trajtojë Mesdheun si korridor të pakufizuar për çdo lloj aktiviteti, ndërsa interesat strategjike nuk mund të përdoren si justifikim për shkelje të ligjit.

Njëkohësisht, e drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje duhet të njihet dhe të respektohet, por edhe çdo operacion kundër aseteve ruse duhet të vlerësohet sipas të njëjtave standarde juridike.

Shqipëria ka të drejtën të mbrojë sovranitetin e saj. Ukraina ka të drejtën të mbrohet nga agresioni rus. Asnjëra prej këtyre të drejtave nuk buron nga vullneti i një fuqie të madhe, por nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Mesdheu nuk është pronë e Rusisë, e NATO-s apo e ndonjë fuqie tjetër. Është hapësirë e përbashkët detare, ku sovraniteti i shteteve duhet respektuar, lundrimi duhet të jetë i sigurt dhe ligji ndërkombëtar duhet të vlejë për të gjithë.

Sepse nëse fuqitë e mëdha fillojnë ta trajtojnë ligjin si një instrument që zbatohet vetëm kur u shërben interesave të tyre, atëherë nuk rrezikohet vetëm Mesdheu.

Rrezikohet vetë rendi ndërkombëtar.

FUSNOTAT DHE BURIMET

1. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, reagimi i 23 nëntorit 2026 mbi pretendimet për përdorimin e territorit shqiptar në sulmin ndaj korvetës ruse. Raportimi i reagimit zyrtar: Euronews Albania.

2. Associated Press, 23 nëntor 2026, Zelenskyy confirms Ukraine was behind drone attack that struck Russian warship at Libya naval base. Associated Press.

3. NATO, Protocol to the North Atlantic Treaty on the Accession of the Republic of Albania, 1 prill 2009. Dokumenti zyrtar i NATO-s.

4. NATO, The North Atlantic Treaty, Washington, 4 prill 1949, nenet 1, 3, 4 dhe 5. Traktati i Atlantikut të Veriut.

5. Kombet e Bashkuara, Charter of the United Nations, 26 qershor 1945, neni 51. Karta e plotë e OKB-së.

6. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Rezoluta ES-11/1, Aggression against Ukraine, 2 mars 2022. Dokumenti zyrtar i OKB-së.

7. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Military and Paramilitary Activities in and against Nicaragua (Nicaragua v. United States of America), aktgjykimi i 27 qershorit 1986. Dokumentacioni i çështjes.

8. Associated Press, 22 nëntor 2026, Suspected Ukrainian sea drones hit Russian warship at Benghazi naval base, Libyan officials say. Raportimi i Associated Press.

9. Reuters, 22 nëntor 2026, Libya’s eastern government suspects drone attack caused explosion on Russian ship. Raportimi i Reuters.

10. Tearline, 3 qershor 2026, Libya: Russia Develops Air Base Infrastructure Likely to Secure Military Foothold in North Africa and Sahel. Studim i bazuar në imazhe satelitore dhe burime të hapura. Studimi i Tearline.

11. Ministria e Jashtme e Turqisë, Convention Relating to the Régime of the Straits, Montreux, 20 korrik 1936, veçanërisht neni 19. Konventa e Montreux.

12. Reuters, 29 nëntor 2025, raportimi mbi goditjen e cisternave Kairos dhe Virat në Detin e Zi, pranë brigjeve turke. Raportimi i Reuters.

13. Reuters, 4 dhe 13 mars 2026, raportimet mbi cisternën Arctic Metagaz, zjarrin në Mesdhe, evakuimin e ekuipazhit dhe përpjekjet për menaxhimin e anijes së dëmtuar. Raportimi fillestar i Reuters; Zhvillimet e mëvonshme.

14. Këshilli i Bashkimit Evropian, dokumentacioni mbi sanksionet kundër Rusisë dhe masat ndaj flotës detare në hije. BE – Sanksionet ndaj Rusisë.

15. NIN, 28 janar 2026, Russian-Serbian humanitarian center back in focus: Slim results and allegations of intelligence activities. Analizë mbi Qendrën Humanitare Ruso-Serbe në Nish, transparencën, financimin dhe debatin për statusin e personelit. Analiza e NIN.

16. Kombet e Bashkuara, United Nations Convention on the Law of the Sea, 1982, veçanërisht nenet 2, 3, 17, 18, 19, 25 dhe 30. UNCLOS – Konventa për të Drejtën e Detit.