Ballina Ekonomia BB: Shqipëria mund të arrijë statusin e vendit me të ardhura të...

BB: Shqipëria mund të arrijë statusin e vendit me të ardhura të larta brenda vitit 2034

33
0

Gati dy dekada më parë, në vitin 2008, Shqipëria arriti të hynte në klubin e vendeve me të ardhura të larta të mesme. Atëherë, të ardhurat për frymë të shqiptarëve ishin vetëm 24% e mesatares së Bashkimit Evropian dhe historia ekonomike e vendit ishte ende një histori rikuperimi nga izolimi i rëndë komunist.

Banka Botërore vlerëson se nëse Shqipëria zbaton me sukses reformat e Planit të Rritjes me BE-në, vendi mund të hyjë në klubin e vendeve me të ardhura të larta në më pak se një dekadë.

Modeli ekonomik i projeksioneve të BB sugjeron se rritja e përshpejtuar e produktivitetit dhe investimeve do t’i mundësonte vendit të kapërcejë pragun e të ardhurave të larta—aktualisht mbi 14,375 dollarë të ardhura kombëtare bruto për frymë—deri në vitin 2034.

Të dhënat e projeksioneve janë bërë publike në raportin më të fundit të BB, “Diagnostikimi i Sektorit Privat në Shqipëri” (Albania: Country Private Sector Diagnostic).

Për një shtet, kjo do të thotë një ndryshim rrënjësor i modelit ekonomik: vendi nuk konkurron më me krah të lirë pune, por me produktivitet, teknologji dhe shërbime të kualifikuara.

Në tregjet ndërkombëtare, kjo shërben si një vulë besimi që ul koston e borxhit dhe tërheq investitorë seriozë, edhe pse njëkohësisht i jep fund granteve dhe kredive të buta të zhvillimit. Sot, në rajonin e gjerë këtë status e mbajnë Sllovenia, Greqia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria, ndërsa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten ende jashtë tij.

Klasifikimi si vend me të ardhura të larta është hapi i parë i madh drejt statusit të ekonomisë së zhvilluar. Ai shënon daljen nga varfëria relative dhe ikjen nga kurthi i të ardhurave të mesme.

Por që një qytetar shqiptar të ndiejë vërtet standardin e një vendi të zhvilluar (spitale, shkolla, rrugë dhe institucione si në Perëndim), duhet të ndodhë edhe konvergjenca reale me Bashkimin Europian. BB thotë se nëse gjithçka shkon si duhet, projeksionet janë që të ardhurat për frymë të Shqipërisë të kapin mesataren e BE-së deri në vitin 2057.

Por për Shqipërinë, e cila sot ka arritur në 43% të mesatares së BE-së, ky kapërcim nuk është i garantuar. Edhe pse ekonomia është rritur mesatarisht 3.7% në vit gjatë dekadës së fundit, motorët e saj po shfaqin shenja lodhjeje.

Forcimi i lekut i ka dhënë një shtysë nominale shifrave në dollarë, por Banka Botërore paralajmëron se mbivlerësimi i monedhës po gërryen konkurrueshmërinë e eksporteve dhe se pasuria e vërtetë nuk mund të vijë nga kursi i këmbimit, por vetëm nga rritja e produktivitetit real.

Merrni si shembull turizmin, xhevahirin e kurorës së eksporteve shqiptare. Vendi priti 12.5 milionë shtetas të huaj në vitin 2025, duke gjeneruar 6.6 miliardë dollarë të ardhura.

Megjithatë, ky bum ka një problem të fshehur: tre të katërtat e vizitorëve të huaj (76%) flenë në akomodime të paregjistruara dhe shpenzojnë mesatarisht vetëm 471 dollarë për person—gati sa gjysma e mesatares së Evropës Mesdhetare. Ndërkohë, 76.5% e mbetjeve të vendit ende përfundojnë në landfille (kundrejt 22.5% në BE), duke mbingarkuar bashkitë bregdetare çdo verë dhe duke kërcënuar vetë peizazhin që tërheq vizitorët.

Në prapavijë qëndron një plagë edhe më e thellë: emigrimi. Me një normë neto emigrimi prej -12.1 për 1 mijë banorë në vitin 2024—më e larta në Europë—Shqipëria po humbet pikërisht punëtorët që i duhen për të modernizuar ekonominë.

Rreth 40% e bizneseve ankohen se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është pengesa e tyre kryesore. Edhe pse 8% e të diplomuarve shqiptarë dalin nga degët e teknologjisë së informacionit, ata përbëjnë vetëm 1.1% të punësimit vendas; pjesa tjetër punon diku tjetër.

Shqipëria e ka kaluar tashmë pjesën më të vështirë të rrugës, duke lënë pas varfërinë e tranzicionit. Tani nis pjesa më vendimtare, ku rritja nuk vjen më nga ndërtimi i rrugëve të para apo turizmi i lirë, por nga cilësia e institucioneve, sundimi i ligjit dhe aftësia për të mbajtur njerëzit e saj.

Fati është në dorën e vetë vendit: me një qeverisje që i kthen reformat evropiane nga detyrime formale në realitet të përditshëm, klubi i vendeve të pasura nuk është më një ëndërr e largët, por një destinacion i arritshëm./kapital