Ankesat për burgosje politike nuk janë shpikje e politikanëve të sotëm shqiptarë. Shumë përpara se Ilir Meta, Sali Berisha apo Erion Veliaj të denonconin drejtësinë dhe të pretendonin se po përndiqeshin politikisht, të njëjtin argument e përdorte edhe Nexhmije Hoxha. Në prill të vitit 1992, bashkëshortja e diktatorit Enver Hoxha, një nga figurat më të fuqishme të regjimit që kishte burgosur, torturuar dhe internuar mijëra shqiptarë për arsye politike, i shkruante ministrit të Drejtësisë për t’u ankuar se po mbahej në izolim. Pesë muaj paraburgim i dukeshin të tepërt, gjendja shëndetësore i ishte rënduar dhe kërkonte arrest shtëpie.
Në letrën e datës 27 prill 1992, drejtuar ministrit Kudret Çela, Nexhmije Hoxha pretendonte se nuk kishte kryer asnjë vepër penale dhe se arrestimi i saj kishte motive politike.
“Ndryshe duhet pranuar e pohuar publikisht se arrestimi dhe dënimi im ka qëllim politik, ato më bëhen vetëm si bashkëshorte e Enver Hoxhës”, shkruante ajo.
Ironia historike është e shkruar në vetë dokumentin: gruaja që kishte qenë pjesë e majës së pushtetit komunist kërkonte tani trajtim humanitar nga një sistem demokratik, pasi regjimi që ajo kishte përfaqësuar ua kishte mohuar për dekada këto të drejta kundërshtarëve të tij.
Më 8 maj 1992, ministri Kudret Çela i ktheu përgjigje, duke sqaruar se ndryshimi i masës së sigurisë nuk ishte në kompetencën e tij, por të organeve të hetuesisë dhe prokurorisë. Për gjendjen shëndetësore, ministria njoftonte se ishte interesuar pranë personelit mjekësor dhe se ajo po merrte trajtimin përkatës.
Tre dokumentet e vitit 1992 dëshmojnë se Nexhmije Hoxha kishte mundësi t’i drejtohej ministrit, të kundërshtonte akuzat dhe të kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë.
Mijëra shqiptarë që kishin kaluar vite të tëra në burgjet e diktaturës nuk e kishin pasur këtë mundësi.
Tridhjetë e katër vjet më vonë, emrat e politikanëve që ankohen për burgosje politike kanë ndryshuar. Por Nexhmije Hoxha mbetet një nga emrat më domethënës në historinë e këtij pretendimi: edhe ajo kërkonte të trajtohej si viktimë politike, pasi kishte kaluar një jetë në anën e pushtetit që prodhonte viktima politike./vna










