Ballina Lifestyle Jennifer Lopez thotë se origjina latine ia vështirësoi rrugën në Hollywood, kritikët...

Jennifer Lopez thotë se origjina latine ia vështirësoi rrugën në Hollywood, kritikët i kujtojnë 44 filmat

29
0

Jennifer Lopez është gjendur në qendër të një debati të zjarrtë. Ylli 57-vjeçar deklaroi se të qenit latine ia ka bërë më të vështirë marrjen e roleve në Hollywood, një koment që në rrjetet sociale u prit me ironi dhe kritika të ashpra.

Fjalët e saj erdhën në një intervistë për podkastin “Popcast” të The New York Times, të publikuar të premten. Lopez kundërshtoi idenë se i vijnë pa pushim oferta filmash dhe tha se që në fillim të karrierës kishte marrë vetëm pak propozime, prandaj iu desh t’i krijonte vetë mundësitë. Siç raporton Fox News, ajo e shpjegoi këtë me faktin se nuk ishte “tipi i zakonshëm i aktores së bardhë”. Ajo pranoi se sot Hollywoodi është më i larmishëm, por shtoi se ende duhet ta ndërtosh vetë hapësirën tënde.

Reagimet nuk vonuan. Bashkëdrejtuesja e Fox News, Tomi Lahren, e ironizoi në X, ndërsa personazhi i rrjeteve Oli London kujtoi se Lopez ka luajtur në 44 filma dhe se pasuria e saj vlerësohet rreth 400 milionë dollarë. Ish-konkurrentja e “America’s Next Top Model”, Adrianne Curry-Rhode, i cilësoi deklaratat si shkëputje të plotë nga realiteti, kurse kritiku i filmit Christian Toto tha se pretendimi për diskriminim është absurd për dikë që ka punuar pa ndërprerje për dy dekada.

Kritikët kujtojnë rolet e saj kryesore në “Selena”, “Out of Sight”, “The Wedding Planner”, “Maid in Manhattan” dhe “Hustlers”, si dhe filmin e këtij viti, “Office Romance”.

Ndërkohë, Lopez zgjodhi humorin në “The Drew Barrymore Show”, episodi i së cilës transmetohet sot. Sipas revistës Parade, kur Barrymore tha se ishte divorcuar tri herë, Lopez e ndërpreu me shaka, duke pyetur nëse dikush tjetër në atë karrige kishte më shumë. Ylli është martuar katër herë: me Ojani Noan, Cris Juddin, Marc Anthonyn dhe Ben Affleckun, nga i cili u nda vitin e kaluar. Në emision ajo promovoi koncertin special “The JLo Show: Live in Las Vegas”.