Komisioni i Venecias i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë për asistencë në procesin e Reformës Zgjedhore. Më 25 nëntor, dy ekspertë të këtij institucioni pritet të mbërrijnë në vend për të ndihmuar në trajtimin e çështjeve kryesore të reformës.
Në fokus të punës së ekspertëve do të jenë ndryshimet në ligjin për financimin e partive politike, si dhe rregullat për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë.
Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe paketa e propozuar nga Partia Demokratike për ndarjen e shtetit nga partia, një prej nismave të opozitës në kuadër të ndryshimeve zgjedhore.
Ndërkohë, ndryshe nga Komisioni i Venecias, ODIHR ende nuk ka kthyer përgjigje për kërkesën e Kuvendit për t’u përfshirë në procesin e Reformës Zgjedhore.







