Ndërtesa, e përfunduar në vitin 1874 dhe e vendosur vetëm pak metra larg tempullit të Partenonit, në kodrën e Akropolit në Athinë, ekspozon fragmente arkitekturore antike, oferta kushtimore, mbishkrime dhe më shumë se 800 artefakte arkeologjike nga Athina e lashtë.
“Ne e kemi riintegruar muzeun në strukturën e gjallë të sitit arkeologjik dhe të qytetit në tërësi”, tha Mitsotakis gjatë ceremonisë së hapjes.
Muzeu ishte ndërtesa e parë në shtetin modern grek që u ndërtua posaçërisht për të shërbyer si muze. Ai u mbyll në vitin 2007, kur koleksionet e tij u transferuan në Muzeun e ri të Akropolit, në rrëzë të kodrës së Akropolit.
Më pas, ndërtesa u përdor pjesërisht si hapësirë për zyrat e administratës së Akropolit dhe si vend për ruajtjen e gjetjeve arkeologjike.
Përveç ekspozimit të artefakteve antike dhe fragmenteve arkitekturore, muzeu i modernizuar tani përdor edhe inteligjencën artificiale për ta sjellë në jetë botën e lashtë në një mënyrë tërheqëse.
Vizitorët mund të admirojnë, për shembull, një rindërtim digjital të frizit të Partenonit, duke përfshirë edhe mermerët e Elginit, të cilët aktualisht ndodhen në Muzeun Britanik në Londër dhe kthimin e të cilëve Greqia e kërkon prej shumë vitesh.







