Ballina Sport Real Madrid përmbys 2-1 në limite Mallorcan, shtyn festën e Barcelonës për...

Real Madrid përmbys 2-1 në limite Mallorcan, shtyn festën e Barcelonës për titullin kampion në La Liga

32
0

Tre raunde nga fundi i sezonit, La Liga e futbollit në Spanjë ende nuk e ka zyrtarizuar skuadrën kampione, teksa Real Madrid shtyu festën e Barcelonës. Për raundin e 36-të “Galaktikët” fituan 2-1 me përmbysje kundër Mallorcas, duke mos dështuar në shtëpi.

Ishin miqtë nga ishulli që kaluan në epërsi pas vetëm 11 minutave lojë me Valjent. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, ndërsa në të dytën “Galaktikët” reaguan.

Pas asistit të Luka Modric, ishte Kylian Mbappe që në minutën e 68-të vendosi ekuilibrat në 1-1. Kur u duk se dy skuadrat do ndanin nga një pikë, ishte i riu Jacobo Naveros që shënoi golin e dytë në shtesën e pestë, duke përfituar nga një pasiguri e prapavijës mike. Për Mallorcan gjatë gjithë takimit në fushë luajti edhe Vedat Muriqi.

Me 78 pikë Real Madrid mban pozitën e dytë në La Liga, katër pikë më pak se kryesuesit e Barcelonës. Këtë mbrëmje luhet derbi i Katalonjës dhe nëse Barcelona fiton kundër Espanyolit (21:30) do shpallej zyrtarisht kampione.