Ballina Aktualitet Policia dhunoi brutalisht protestuesit/ Sandër Lleshaj mesazh qeverisë: Dorëheqja është gjëja më...

Policia dhunoi brutalisht protestuesit/ Sandër Lleshaj mesazh qeverisë: Dorëheqja është gjëja më e vogël

119
0

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u ka bërë thirrje studentëve të tregojnë kujdes ndaj personave të infiltruar në protestë. I ftuar në emisionin Ditari i Fundjavës me Denisa Pashollin, Lleshaj ka shprehur bindjen se në protestat e të rinjve mund të jenë përfshirë edhe shërbime të huaja.

Sipas tij, shërbimet e huaja armiqësore mund të synojnë destabilizimin e vendit dhe pengimin e zhvillimit të tij. Lleshaj tha se institucionet shqiptare kanë përgjegjësinë të mbrojnë vendin nga këto rreziqe, duke shtuar se qeveria duhet të veprojë dhe të marrë vendime konkrete.

I pyetur nëse priste një vendimmarrje politike në aspektin e dorëheqjes të ministrit të Brendshëm Ervin Demo, Lleshaj tha se dorëheqja është një akt përgjegjësie.

Ai kujtoi gjithashtu dorëheqjen e tij nga detyra e ministrit të Brendshëm pas një incidenti të shkaktuar nga një patrullë policie, të cilin e cilësoi si një nga vendimet më të mira të karrierës së tij. Në fund, ai tha se studentët kanë të drejtën të dëgjohen, duke shtuar seata duhet të kenë rol të rëndësishëm në përcaktimin e qeverisë së re.

Sandër Lleshaj: Në qoftë se në vendin tonë një protestë rinore infiltrohet nga shërbime të huaja armiqësore, të cilat e besoj fort unë që infiltrojnë, sepse atë detyrë kanë shërbimet e huaja. Paguhen për këtë punë që t’i infiltrojnë shërbimet armiqësore të një vendi. Paguhen që ta destabilizojnë, ta shkatërrojnë, ta minojnë, ta vonojnë n atë vend në progresin e tij.

Dhe në qoftë se ato e kanë këtë detyrë, kemi dhe ne një detyrë për të mbrojtur prej tyre. Në qoftë se një shërbim i infiltruar në Shqipëri, pyetja është ku është shërbimi jonë? A kemi edhe ne një shërbim që na mbron prej tyre? E vetmja gjë që qeveria në këto në kushte s’duhet të bëjë, s’duhet të flasë. Pra s’duhet të bëjë analizë, duhet të bëjë veprime, duhet të marrë vendime.

Unë di një gjë. Në qoftë se studentët çedojnë, përgjegjësia është e pedagogëve të tyre, e profesorëve të tyre. Në qoftë se policët çedojnë, përgjegjësi është e ministrit të tyre. Në qoftë se shoqëria çedon, përgjegjësia është e establishmentit edhe udhëheqjes së saj. Në këtë kuptim nuk ka askush alibi në këtë situatë.

 Nuk i jep mend askujt të bëjë çfarë të bëjë. Unë i kam dhënë mend vetes time dikur kur për një incident, për një incident të ndodhur natën, jo në kushte të një veprimi të organizuar të policisë, por në kushte të një veprimi individual të një patrulle policie, e kam dhënë dorëheqjen ndërkohë që e konsideroj veprimin më të mirë në karrierën time, i cili më ka çliruar, më ka dhënë një sens tjetër të detyrës. Kështu që dorëheqja është gjëja më e vogël. Dorëheqja duhet dhënë dhe kot.

Këta të rinj kanë të drejtë të dëgjohen. Unë nuk them me këtë që këta të rinj duhet t’i bëjmë kryetar shteti në këtë moshë, por këta të rinj duhet ta përcaktojnë qeverinë e re. Kjo frymë e re për mendimin tim është frymë e shëndoshë.