Tymi i dendur nga djegia e gomave në breg të lumit Mat, pranë urës së Milotit në Kurbin, është vetëm ana e dukshme e një problemi shumë më të thellë mjedisor. Situata në terren paraqitet edhe më e rëndë, me rrezik të lartë për përsëritje të vazhdueshme të këtij fenomeni.
Prej kohësh, poshtë urës së Milotit dhe në afërsi të saj, depozitohen në mënyrë të paligjshme goma dhe mbetje plastike te automjeteve nga servise të ndryshme dhe gomisteritë. Djegia e tyre është hapi i fundit në këtë zinxhir ndotjeje, i lidhur kryesisht me persona që merren me grumbullimin e skrapit. Problematika është e njohur prej vitesh, por ende nuk ka një zgjidhje konkrete.
Për banorët e zonës, kjo është një situatë e përsëritur dhe e toleruar ndër vite. Ata shprehen se zgjidhja e vetme mbetet krijimi i një pike të licencuar për depozitimin dhe trajtimin e këtyre mbetjeve, në mënyrë që të parandalohet hedhja e tyre në natyrë.
Agjencia Rajonale e Mjedisit në Lezhë i ka dërguar një shkresë Bashkisë Kurbin, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për menaxhimin e situatës. Megjithatë, deri tani nuk raportohet për masa konkrete në terren.
Procedimi penal nga ana e policisë së shtetit te autorëve të djegies nuk mjafton për të zgjidhur problemin. Thelbësore mbetet ndalimi i depozitimit të pakontrolluar të mbetjeve plastike në këtë zonë, përmes monitorimit, kontrollit dhe krijimit të alternativave të ligjshme për trajtimin e tyre.







