Gjykata Kushtetuese nuk do ta shqyrtojë në seancë plenare kërkesën e Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut” për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi dënimin e tij me 2 vite burg. Laho pretendonte se vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe kërkonte rigjykimin e çështjes. Megjithatë kërkesa e tij nuk do të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.
Më 23 korrik 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi vendimin për dënimin e Lahos për tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë në Gjirin e Lalzit. Ai u dënua me 3 vite burg, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vite. Laho u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, në qershor të këtij viti, SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim çështjen ndaj Aleksandër Lahos dhe shtatë personave të tjerë, të dyshuar për përfshirje në një skemë të organizuar të tjetërsimit të pronave shtetërore në Durrës. Sipas organit të akuzës, nga hetimet është dokumentuar krijimi i një grupi të strukturuar kriminal nga Laho dhe vëllai i tij, Vullnet Muça, ku dyshohet se përfshiheshin edhe zyrtarë të Kadastrës. Në lidhje me çështjen e pronës në Gjirin e Lalzit, Laho akuzohet se i ka dhënë 600 mijë lekë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, dhe i ka premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, me qëllim që ky i fundit të mos apelonte një vendim për pronësinë e 45 mijë metrave katrorë tokë publike.
Padia për këtë çështje ishte depozituar nga Pal Seçuni, i cili kundërshtonte vendimet e Hipotekës së Durrësit lidhur me tjetërsimin e pronës. Emri i Aleksandër Lahos është përmendur edhe në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, në vitin 2019, ku ai mbeti i plagosur. Pas ngjarjes, atij iu sekuestrua telefoni, ku, sipas materialeve të bëra publike në atë kohë, u gjet një video në të cilën komunikonte me një zyrtar të Avokaturës së Shtetit për çështjen e dyshuar korruptive.







