Ballina Aktualitet Protesta sot në Tiranë, policia shton kontrollet në Qafë Thanë për shqiptarët...

Protesta sot në Tiranë, policia shton kontrollet në Qafë Thanë për shqiptarët që vijnë nga Maqedonia e Veriut

29
0

Masa të shtuara sigurie janë vendosur në pikën kufitare të Qafë Thanës, në prag të protestës kombëtare që do të zhvillohet sot në Tiranë. Prej dy ditësh, autoritetet kanë intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve dhe shtetasve shqiptarë që hyjnë në vend nga Maqedonia e Veriut.

Sipas burimeve policore, që prej ditës së djeshme në këtë pikë kufitare janë dislokuar efektivë të Policisë Kufitare dhe Policisë së Shtetit, të cilët po kryejnë kontrolle të imtësishme të automjeteve.

Shkak për shtimin e masave janë bërë dyshimet se persona që udhëtojnë drejt Shqipërisë mund të transportojnë sende të ndaluara dhe të marrin pjesë në protestën e thirrur në kryeqytet.

Burimet bëjnë me dije se autoritetet kishin marrë informacione për grupe shqiptarësh nga Maqedonia e Veriut që planifikonin të udhëtonin drejt Tiranës për t’iu bashkuar tubimit. Gjithashtu, dyshohej se disa prej tyre mund të kishin me vete sende të ndaluara, çka ka sjellë forcimin e kontrolleve në kufi.