“Të mbyllim kampionatin me dinjitet, më pas do të flasim”.Këto ishin fjalët e para të Conceicao-s i pyetur në lidhje me të ardhmen e tij, ndërsa u përpoq më pas të gjente detaje pozitive, si triumfi në Superkupë, apo faktin që shkuan deri në finalen e Kupës. Këto janë detaje që nuk mjaftojnë për një klub të madh si Milan, për më tepër që kuqezinjtë investuan shumë edhe në merkato, por thuajse asnjë nga zgjedhjet e portugezit nuk kishin efekt në gjysmën e dytë të sezonit, duke nisur nga Walker, Joao Felix etj.
Në këto kushte, sipas mediave italiane, Conceicao e ka firmosur fatin e tij, në fund të këtij sezoni do të largohet nga Milano. Në shtëpinë e “djallit” ka nisur puna për të gjetur pasuesin e tij, por më parë duhet të zgjedhin Drejtorin e ri Sportiv, ku kandidaturat janë të njëjta, D’Amico dhe Tare.
Duke u rikthyer te lista për pasuesit e Conceicao-s, emrat që shihet si kandidat potencial janë të shumtë. Conte është mbase emri më i rëndësishëm, por tekniku “azzurr” është mes Napolit dhe Juves. Një tjetër emër me peshë është edhe ai i Gian Piero Gasperinit, por së fundmi në garë janë futur edhe dy emra të njohur, Sarri dhe Italiano, ky i fundit i rrëmbeu Kupën e Italisë në finale me Bologna-n. Nuk hiqet nga lista as Roberto De Zerbi.
Jo vetëm çështja e trajnerit të ri, në shtëpinë e Milanit duhet të bëjnë llogaritë me disa titullarë të rëndësishëm që janë të pa qartë në lidhje me të ardhmen. Nga Spanja bëjnë me dije, se Theo Hernandez i është vetë ofruar Real Madrid, ndërsa Man.City po ndjek nga pranë Reijnders.