Bashkimi Europian ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke e cilësuar qeverinë e Albin Kurtit si “qeveri në largim” dhe akuzuar atë për veprime që “minojnë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës”.
Në një komunikatë zyrtare të lëshuar më 16 maj, BE shpreh shqetësim për aksionet e fundit të qeverisë së Kosovës kundër strukturave ilegale serbe, konkretisht atë të zhvilluar një ditë më parë në Mitrovicën e Veriut. Sipas Brukselit, “veprime të tilla përshkallëzojnë tensionet” dhe mund të kenë pasoja serioze për stabilitetin në rajon.
Ky reagim i ashpër vjen në të njëjtën ditë kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Tirana deklaroi se “BE ka qëndrime të pabalancuara midis Serbisë dhe Kosovës” dhe kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj vendit të saj, të vendosura për shkak të zhvillimeve të ngjashme më herët në Veriun e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar se aksionet e policisë kanë si synim mbylljen e strukturave paralele serbe, të cilat operojnë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
Megjithatë, BE në deklaratën e saj u bën apel palëve të angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut, si dhe i kërkon Kosovës të zbatojë marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.