Një nga zonat më të virgjëra, por edhe më të mrekullueshme të Rivierës shqiptare shumë shpejt do të mbillet masivisht me vila. Bëhet fjalë për Gjirin e Krorëz në Sarandë, ku do të ndërtohet një resort i madh historik me vila të panumërta, të cilat ngjajnë si hojet e bletëve.
Një studio arkitekturore nga Firence, e quajtur Luca Dini, ka zbardhur projektin e resortit turistik që do të ndërtohet në këtë gji nga shoqëria Invest Society e Dajlan Avdias.
Leja e Zhvillimit për këtë kompleks u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Por deri më tani pak kush e kishte idenë e masivitetit të këtij projekti.
Plazhi i Krorëzës njihet për natyrën e tij të paprekur dhe aksesin e kufizuar, i cili ka tërhequr vizitorë që udhëtonin me varka ose përmes një shtegu të gjatë ecjeje prej 1 ore e 30 minutash.
Sinjalet e planeve për përlarjën e Gjirit të Krorëz u dhanë në gusht të vitit të kaluar. Në fund të sezonit turistik, Policia e Shtetit bëri të ditur se, në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazh i lirë”, Komisariati i Policisë Himarë kishte ndërmarrë kontrolle për të liruar hapësirat publike në vijën bregdetare në plazhin e Krorëzës.
Policia njoftoi se hapësirat publike në këtë zonë tashmë janë të liruara, duke ngjallur habi dhe ilaritet, pasi aksioni zhvillohej në fund të sezonit veror. Por aksioni me sa duket ishte në funksion të resortit që do të ndërtohet në atë zonë.
I gjithë bregdeti nën këmbët e Lanit
Dajlan Avdia, përmes kompanive të tija, po shndërrohet në një nga ndërtuesit më të mëdhenj të bregdetit shqiptar. Në korrik të vitit të kaluar, KKTU miratoi lejen për një tjetër projekt masiv në Jug, për llogari të Avdiajt. Këtë herë bëhej fjalë për zonën e Lëkurësit.
Sipas lejes, thuajse e gjithë zona e mbetur pa ndërtime në qytetin e Sarandës do të shndërrohet në një resort gjigand, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 680 mijë metrash katrorë. Bëhet fjalë për zonën poshtë Kalasë së Lëkurësit, mbi të cilën do të ndërtohen mijëra vila dhe apartamente si dhe një hotel me 5 yje, i cili do të ketë rreth 140 dhoma gjithsej.
Ndërtuesi i resortit është kompania TDT & Partners, kompania që zotërohet nga dy vëllezërit Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi.
Ky është një nga resortet më të mëdha që ndërtohet në Jug të vendit, për nga sipërfaqe e truallit në të cilin shtrihet i krahasueshëm me projektin e Alabbarit në Durrës. Por për shkak të intensitetit më të ulët, resorti i Lëkurësit do të ketë më pak sipërfaqe ndërtimore.
Toka e Vangjelit
Në nëntor të vitit 2021 familja e Vangjel Tavos themeloi një kompani të quajtur Theap Konstruksion. Objekti i kompanisë ishte sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, ndërsa kapitali themeltar i saj ishte vetëm 100 mijë lekë.
Por pak muaj më vonë, në mars të vitit 2022, vlera e kompanisë u rrit. Familja Tavo kontriboi në natyrë duke bërë pjesë të aseteve të biznesit një sipërfaqe toke prej 33.5 mijë metrash katrorë. E regjistruar me numër pasurie 26/533, prona ndodhet në fshatin e Lëkurësit në Sarandë, poshtë kalasë së famshme të Lëkurësit, pikërisht në vendin ku do të ndërtohet resorti.
Në janar vitit të kaluar Vangjel Tavo ja dhuroi 100 për qind të aksioneve të kompanisë vëllait të tij Grigor Tavo. Ndërsa në maj, vetëm 2 muaj para zgjedhjeve të Himarës, kur zoti Tavo kishte marrë ndërkohë bekimin nga Edi Rama për të kandiduar në Himarë, familjarët e zoti Tavo e shitën kompaninë Theap Konstruksion për 3.6 milionë euro. Blerësi ishte TDT & Partners e Avdisë.
Origjina e pronës së shitur nga Tavo është e mbushur me përplasje dhe konflikte midis disa familjeve dhe shtetit. Agjencia Shtetërore e Kadastrës e ka kundërshtuar dhënien e saj tek privatët, për shkak se pretendonte se toka ishte shtet. Por falë gjykatës, Vangjel Tavo arriti të shtinte në dorë pronën, të cilët më pas ja shiti Avdisë 3.7 milionë euro.
Gjatë zgjedhjeve, teksa zoti Tavo premtonte se do të zgjidhte Çështjen e pronave në Himarë, ai u akuzua publikisht nga Omonia se tokën e Lëkurësit e ka marrë përmes dokumentave të falsifikuara. “OMONIA Himare i bën thirrje Goles të rrijë në Lëkurës qe e ka me letra fallco e të mos duket në këto anë,” thuhej në një deklaratë të shpërndarë nga kjo organizatë./Kapital