Ballina Kuriozitete Anija 4,700-vjeçare e zbuluar në Turqi, misteri brenda amforave habit arkeologët

Anija 4,700-vjeçare e zbuluar në Turqi, misteri brenda amforave habit arkeologët

68
0

Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në brigjet jugore të Turqisë mund të hedhë dritë mbi rrjetet tregtare detare të Mesdheut rreth 5 mijë vjet më parë. Pranë ishullit Kekova, në provincën e Antalyas, arkeologët kanë identifikuar rrënojat e një anijeje që daton në Epokën e Hershme të Bronzit, rreth viteve 2600–2400 para Krishtit.

Në një thellësi prej afërsisht 30 metrash, studiuesit kanë zbuluar më shumë se 30 enë qeramike, përfshirë amfora, si dhe tri spiranca prej guri. Edhe pse struktura prej druri e anijes nuk është ruajtur, ngarkesa e gjetur në fund të detit përbën një burim të rëndësishëm informacioni për tregtinë dhe lëvizjen e mallrave në Mesdheun e lashtë. Sipas vlerësimeve paraprake, bëhet fjalë për një nga rrënojat më të vjetra të njohura të një anijeje detare të këtij lloji. Mosha e saj është përcaktuar kryesisht përmes studimit të formës dhe dekorimit të qeramikës, pasi mungesa e drurit të ruajtur nuk lejon kryerjen e analizave të drejtpërdrejta për datimin e trupit të anijes.

Mbetjet brenda amforave, surpriza e arkeologëve
Një nga elementet më interesante të zbulimit janë mbetjet e ruajtura brenda disa prej enëve. Arkeologia Karin Sowada, nga Universiteti Macquarie në Australi, u shpreh e habitur nga sasia e materialit që kishte mbijetuar pas mijëra vjetësh nën ujë. “Shikova brenda dhe gati sa nuk rashë të fikët”, tha ajo, sipas BBC-së, duke përshkruar atë që pa gjatë shqyrtimit të enëve.

Studiuesit po analizojnë tani përbërjen e këtyre mbetjeve për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vaj ulliri, verë, rrëshirë pemësh apo substanca të tjera. Një mundësi që po shqyrtohet është edhe përdorimi i përsëritur i enëve, çka do të thotë se materiali i ruajtur mund të mos jetë domosdoshmërisht pjesë e ngarkesës fillestare. Rezultatet e analizave mund të ndihmojnë në identifikimin e produkteve që transportoheshin në atë periudhë, si dhe në kuptimin më të mirë të marrëdhënieve tregtare mes komuniteteve të Mesdheut lindor.

Një amforë me shenja të pazakonta

Mes objekteve të zbuluara ndodhet edhe një amforë që ka nëntë shenja të ndryshme dhe dy vrima në trupin e saj. Sipas ministrit turk të Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, vlerësimet paraprake ngrenë mundësinë që ena të jetë përdorur për përpunimin e qumështit, për prodhimin e gjalpit ose djathit. Nëse ky interpretim vërtetohet, objekti mund të ofrojë të dhëna interesante për jetën e përditshme të marinarëve të lashtë dhe mënyrën se si ata siguronin ushqimin gjatë udhëtimeve të gjata detare. Megjithatë, përdorimi i saktë i amforës mbetet ende i paqartë dhe kërkon studime të mëtejshme.

Nga Lugina e Jordanit drejt Kretës apo Trojës?
Analizat e qeramikës sugjerojnë se disa prej enëve mund të jenë prodhuar në punishte të Luginës së Jordanit, në Lindjen e Afërt të lashtë. Objekte të ngjashme janë gjetur edhe në Egjipt, Trojë dhe Kretë, duke përforcuar hipotezën se rajonet e Mesdheut lindor kishin lidhje tregtare dhe kulturore që në Epokën e Hershme të Bronzit. Studiuesit vlerësojnë se anija mund të jetë nisur nga një port në bregdetin lindor të Mesdheut, me destinacion të mundshëm Kretën ose Trojën. Megjithatë, itinerari i saj nuk është konfirmuar dhe mbetet një nga pyetjet që kërkojnë përgjigje.

Datimi i rrënojave, bazuar në krahasimin e qeramikës dhe spirancave me gjetje të tjera arkeologjike, i vendos ato në një periudhë kur në Egjipt po ndërtohej Piramida e Madhe e Gizës.

Tri spirancat prej guri, një tjetër mister
Arkeologët kanë identifikuar gjithashtu tri spiranca guri në zona të ndryshme të vendit ku ndodhen rrënojat. Dy prej tyre kanë nga tri vrima, ndërsa e treta ka vetëm një. Forma e tyre ngjan me spirancat e zbuluara në vendbanime të Epokës së Bronzit në Anadoll, Qipro dhe pjesë të tjera të Mesdheut lindor. Megjithatë, nuk është përcaktuar ende nëse këto objekte i përkisnin anijes së mbytur apo lidhen me aktivitete të tjera detare në atë zonë. Kërkimet vijojnë për të zbuluar më shumë mbi origjinën e anijes, ngarkesën dhe udhëtimin e saj të fundit. Analizat e ardhshme mund të ndihmojnë në rindërtimin e një pjese të historisë së tregtisë detare dhe të jetës së njerëzve që lundronin në Mesdhe afro 5 mijë vjet më parë.