Ballina Kuriozitete ​Gjurmë gishtash të grave dhe fëmijëve gjenden në Ushtrinë prej Terrakote të...

​Gjurmë gishtash të grave dhe fëmijëve gjenden në Ushtrinë prej Terrakote të Kinës

79
0

Ushtria prej balte e Perandorit Qin Shi Huang ka qëndruar roje në errësirën e varrit të tij për 2 mijë e 200 vjet. Për një kohë të gjatë mendohej se ushtria ishte krijuar ekskluzivisht nga burra të rritur, por megjithatë, hulumtime të reja mbi gjurmët e gishtave të lëna në baltë sugjerojnë se në këtë projekt kanë marrë pjesë edhe gra e fëmijë, raporton Science Alert.

Studimi bazohet te 36 luftëtarë nga një gërmim i caktuar, mbi të cilët u dokumentuan 91 gjurmë gishtash.Pasi u përjashtuan 12 gjurmë që duket se i përkisnin të njëjtit individ, mbetën 79 gjurmë për t’u analizuar.

Gjurmët gjendeshin në pjesë të ndryshme të statujave, në koka, krahë, parzmore, duar, jakë, madje edhe në një këmbë. Ato duket se kanë qenë thjesht një pasojë e procesit të prodhimit.

“Gjurmët në sipërfaqe, të cilat ishin 73 në numër, u krijuan gjatë fazave të formësimit dhe montimit, kur artizanët i shtypnin gishtat drejtpërdrejt mbi argjilën e njomë. Ato gjendeshin më së shpeshti në kokat dhe duart e figurave, vende ku artizanët i mbanin pjesët ndërsa i bashkonin dhe i lëmonin ato. Këto gjetje vënë në dyshim supozimin e kahershëm se prodhimi i Ushtrisë prej Terrakote mbështetej vetëm te puna e burrave të rritur. Njëkohësisht, ato ofrojnë dëshminë e parë biologjike sasiore për një fuqi punëtore të larmishme, e cila përfshinte gra dhe fëmijë,” deklaroi një ekip studiuesish të udhëhequr nga arkeologu Xiaoxi Li, nga Muzeu i Vendndodhjes së Mauzoleut të Perandorit Qin Shi Huang.

Pasqyra demografike rezultoi të ishte shumë më e larmishme nga sa mendohej më parë. Sipas modelit, vetëm 45 për qind e gjurmëve ka gjasa të jenë lënë nga meshkuj të rritur. 32,7 për qind e tjera u atribuohen grave të rritura, ndërsa 22,3 për qind e mbetur fëmijëve nën moshën 15 vjeç.

Ushtria prej Terrakote u zbulua vetëm në vitin 1974, pasi kishte qëndruar e fshehur nën tokë për më shumë se dy mijë vjet. Pjesa e njohur e ushtrisë përbëhet nga rreth 8 000 luftëtarë, 130 qerre lufte me 520 kuaj dhe 150 kalorës. Pjesa më e madhe e nekropolit të gjerë nuk është gërmuar ende, ndaj përmbajtja e tij e plotë mbetet e panjohur.