Ballina Aktualitet Gjykata e Lartë e la në ‘arrest shtëpie’, Kreshnik Farruku mbetet në...

Gjykata e Lartë e la në ‘arrest shtëpie’, Kreshnik Farruku mbetet në qeli, IEVP Bradashesh nuk e zbaton vendimin

32
0

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë, që la në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Kreshnik Farrukun (i njohur edhe si Kreshnik Budlla), Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Bradashesh, Elbasan, nuk e ka zbatuar ende këtë vendim, duke e mbajtur të paraburgosur edhe këtë të martë.

Fillimisht, masa e arrestit në shtëpi ishte dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës, në kuadër të procedurave për ekstradimin e Farrukut drejt Italisë. Pas konfirmimit të kësaj mase nga Gjykata e Lartë, autoritetet e paraburgimit në Elbasan nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për lirimin e tij dhe zbatimin e vendimit.

Familjarët e Farrukut e kanë cilësuar mbajtjen e tij në paraburgim si një shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërsa nuk dihet ende zyrtarisht arsyeja e mospërputhjes mes vendimit gjyqësor dhe ekzekutimit të tij.

Sipas një burimi të besueshëm, IEVP mund të veprojë vetëm pas mbërritjes së dokumentacionit të plotë ligjor nga Gjykata e Lartë. Deri atëherë, institucioni nuk ka kompetencë të ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me lirimin ose transferimin e të paraburgosurit.

Kreshnik Farruku, i kërkuar për një seri veprash penale, përfshirë trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash, vjedhje dhe dyshime për vrasje, është një emër i njohur për drejtësinë europiane. Ai është arrestuar për herë të fundit në vitin 2019 në Madrid, ndërsa ka qenë më herët i arratisur dhe objekt i hetimeve të autoriteteve spanjolle, italiane dhe shqiptare. Në vitin 2012, gjykata urdhëroi edhe sekuestrimin e pasurive të tij, të dyshuara si produkt i veprimtarive kriminale, përfshirë prona në Gjirin e Lalzit dhe llogari bankare të majme.

Megjithatë, pavarësisht historikut të rënduar kriminal, vendimi më i fundit gjyqësor për ndryshimin e masës së sigurisë mbetet i pazbatuar, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe zbatimin efektiv të vendimeve të gjykatave në praktikë.