Kombëtarja e Serbisë nuk do ta zhvillojë ndeshjen kualifikuese ndaj Anglisë në Beograd, siç ishte pritur, por në stadiumin “Duboçica” të Leskovcit, kështu raporton B92, duke iu referuar burimeve të sigurta, por jo zyrtare.
Sfida ndaj “Tre Luanëve” do të luhet më 9 shtator 2025, dhe vendimi i Federatës Serbe të Futbollit ka ardhur si befasi, pasi të gjithë prisnin që takimi të zhvillohej në stadiumin e njohur “Marakana”.
Federata Serbe duket se ka zgjedhur një ambient më të mbledhur dhe me më shumë afërsi mes tribunave dhe fushës, me idenë që tifozët të ushtrojnë më shumë presion ndaj kundërshtarëve, në këtë rast ndaj një skuadre favorite si Anglia.
Anglia i ka fituar tashmë dy ndeshjet e para të grupit kualifikues për Botërorin 2026, ndërsa Serbia debuton më 7 qershor ndaj Shqipërisë në Tiranë, më pas përballet me Andorrën në Leskovc më 10 qershor. Ndërkohë, përpara sfidës me Anglinë, Serbia do të zhvillojë edhe një ndeshje ndaj Letonisë më 6 shtator në Riga.