Ballina Aktualitet Fermerët e zonës së Fier-Sheganit drejt falimentimit pas breshrit shkatërrues

Fermerët e zonës së Fier-Sheganit drejt falimentimit pas breshrit shkatërrues

33
0

Fermerët në fshatrat Thanë, Çinat, Koçaj, Fiershegan dhe Barbullinjë, të njësisë administrative Fier-Shegan në bashkinë Lushnje, të vendosura në pjesën jugperëndimore të rezervuarit të Thanës, prej më shumë se 30 vitesh janë specializuar në kultivimin e pjeshkëve dhe nektarinave.

Kjo zonë, falë kushteve të favorshme tokësore dhe klimaterike, ka mbi 200 hektarë të mbjella me këta drufrutorë në prodhim. Por vetëm 15 minuta breshër i rënë një muaj më parë kanë mjaftuar për të shkaktuar dëme të mëdha dhe për të çuar drejt falimentimit një pjesë të madhe të fermerëve.

Aktualisht, ka nisur fushata e vjeljes dhe nxjerrjes në treg e prodhimit të pjeshkës dhe nektarinës, por sasia e grumbulluar është vetëm 50-60% e asaj të një viti më parë. Tradicionalisht, destinacioni kryesor i këtij prodhimi ka qenë eksporti në vendet e rajonit dhe më gjerë në Europë, ku një kilogram nektarinë tregtohej me çmimin 200 lekë të reja.

Këtë vit, për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga breshëri, cilësia e prodhimit ka rënë ndjeshëm. I gjithë prodhimi është orientuar drejt tregut të brendshëm, ku çmimi mesatar varion nga 50 deri në 60 lekë për kilogram. Megjithatë, për shkak të cilësisë së ulët, ka gjasa që çmimi të pësojë edhe më shumë rënie.

Fermerët theksojnë se prodhimi nuk është i siguruar dhe se kompanitë e sigurimeve nuk ofrojnë mbulim për fatkeqësi natyrore, siç është rasti i breshrit. Ata shprehen se janë të pambrojtur përballë këtyre rreziqeve dhe nuk kanë asnjë mundësi sigurie për investimin e tyre.

Ndërkohë, mungon çdo lloj skeme mbështetëse nga ana e qeverisë shqiptare për këtë kulturë bujqësore. Mbrojtja e prodhimit me rrjeta kundër breshrit është një zgjidhje teknike, por kostoja e saj është shumë e lartë dhe asnjë nga fermerët nuk ka mundësi financiare për ta përballuar./BW