Ballina Bota Programi bërthamor, mbyllet raundi i pestë i bisedimeve SHBA-Iran në Romë, përparim...

Programi bërthamor, mbyllet raundi i pestë i bisedimeve SHBA-Iran në Romë, përparim i kufizuar

67
0

Irani dhe Shtetet e Bashkuara përfunduan në orët e vona të së premtes raundin e pestë të bisedimeve në Romë, me ndërmjetësimin e Omanit, për çështjen e ndjeshme të programit bërthamor iranian. Megjithëse palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ashpra publike mbi pasurimin e uraniumit, mediat ndërkombëtare raportojnë shenja të përparimit të kufizuar në negociata.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, e përshkroi këtë raund si “ndër më profesionalët deri më tani”, duke thënë se është krijuar një rrugë e arsyeshme përpara:

“Ne shprehëm qartë pozicionin e Iranit… Vetë fakti që ndodhemi në një rrugë të arsyeshme është një shenjë përparimi.”

Ai shtoi se disa propozime të Omanit do të shqyrtohen nga autoritetet përkatëse dhe se një raund i ri bisedimesh do të mbahet së shpejti.

Një zyrtar i lartë amerikan konfirmoi se bisedimet zgjatën mbi dy orë dhe përfshinë takime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, duke i cilësuar si “konstruktive”:

“Kemi bërë përparim të mëtejshëm, por ende ka punë për të bërë.”

Presidenti amerikan Donald Trump kërkon të kufizojë kapacitetin e Iranit për të prodhuar armë bërthamore, duke e konsideruar këtë si kërcënim për rajonin dhe për Izraelin. Nga ana tjetër, Irani kërkon heqjen e sanksioneve të rënda që po e godasin ekonominë e tij të varur nga nafta.

Megjithatë, Teherani refuzon të dorëzojë rezervat e uraniumit të pasuruar, si dhe të diskutojë mbi programin e tij të raketave balistike

Këto janë pengesat kyçe për arritjen e një marrëveshjeje.

Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, ka cilësuar kërkesën amerikane për ndalimin e pasurimit si “të tepërt dhe të papranueshme”, duke paralajmëruar se nuk do të ketë përparim pa lëshime nga SHBA.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Uashingtoni mund të pranojë një program civil energjetik për Iranin, por jo të drejtën për pasurim uraniumi – një kompromis që sipas tij “nuk do të jetë i lehtë”.

Ndërkohë, përfaqësues të lartë të inteligjencës izraelite ishin të pranishëm në Romë për konsultime me delegacionin amerikan. Irani paralajmëroi se çdo sulm izraelit ndaj objekteve bërthamore të tij do të sillte pasoja ligjore për SHBA-në.