Ballina Ekonomia Qeveria shkurtoi shpenzimet për shëndetësinë, përfshirë rimbursimet e barnave

Qeveria shkurtoi shpenzimet për shëndetësinë, përfshirë rimbursimet e barnave

42
0

Edhe pse Shqipëria është një nga vendet që financon më pak shëndetësinë në Europë, qeveria shqiptare vazhdon të shtrëngojë edhe më shumë fondet për këtë sektor.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar, shpenzimet publike për shëndetësinë u ulën me 9 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave, vitin e kaluar qeveria shpenzoi në total 588 milionë euro për shëndetësinë nga 597 milionë euro që ishte shifra në vitin 2023.

Ulja ka prekur thuajse të gjithë zërat, përfshirë rimbursimin e barnave për popullatën. Sipas Raportit Vjetor të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor shpenzimet e rimbursimit u ulën me gati 2.3 milionë euro vitin e kaluar krahasuar me 2023-shin.

Sipas Fondit, kjo ulje ka ardhur për shkak se disa lloje ilaçesh kanë kushtuar më pak, pasi mjekët i kanë drejtuar qytetarët drejt alternativave më të lira. Kjo, sipas Fondit, shpjegon uljen e shpenzimeve të shtetit për rimbursim, pavarësisht se vitin e kaluar janë dhënë gati 110 mijë receta më shumë.

Barnat e sëmundjeve kronike, të pensionistëve pa afat dhe fishat e diabetit kanë pasur një kosto më të ulët dhe kanë kontribuar më shumë në uljen e shpenzimeve. Në vitin që lamë pas ka pasur një ulje të konsiderueshme të shpenzimeve të rimbursimit për grupin e barnave spitalore, të cilat zënë rreth 31% të shpenzimeve totale të rimbursimit./kapital