Tridhjetë e tetë persona kanë pësuar lëndime kur një person i panjohur kishte hedhur një substancë që dyshohet të jetë gaz lotsjellës brenda një klubi të natës në Rosule – Teshanj të Bosnje e Hercegovinës.
Të pranishmit, të kapluar nga paniku, janë përpjekur të largohen nga ambienti i mbushur me tym, shumë prej tyre kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, raporton portali Crna-hronika.info.
Klientët e klubit kanë raportuar kollitje të rëndë, ndjesi mbytjeje, vështirësi në frymëmarrje, si dhe një ndjesi të fortë djegieje në sy, hundë dhe fyt. Disa kanë përjetuar marrje mendsh dhe çorientim.
Një dëshmitare tregoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, ndërsa klubi ishte i mbushur plot. Ajo theksoi se, përveç problemeve me frymëmarrjen, disa nga të pranishmit kanë pësuar lëndime të rënda fizike. Sipas saj, disa persona kanë pësuar thyerje të krahëve ose këmbëve, ndërsa një pjesë e të lënduarve janë dërguar me urgjencë në Zenicë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kantonit Zenica-Doboj deklaroi se policia po vazhdon punën për të zbardhur dhe dokumentuar veprën penale të “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”. Identiteti i autorit dhe motivi i sulmit mbeten të panjohura.







