Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka promovuar një dokumentar kushtuar Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë së Jugosllavisë, në realizimin e të cilit ka pasur rol edhe Vladimir Llazareviq, ish-komandant i këtij formacioni ushtarak, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.
Dokumentari me titull “Korpusi i Prishtinës – Atdheu na komandon” është prodhuar nga Qendra e Filmit Ushtarak “Zastava Film”, që vepron në kuadër të Ministrisë serbe të Mbrojtjes. Pjesa e parë e tij është shfaqur premierë në Nish, në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe ushtarakë të Serbisë.
Në njoftimin e publikuar më 7 tetor, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë e paraqet dokumentarin si një projekt për ruajtjen e kujtesës së pjesëtarëve të Korpusit të Prishtinës, formacion që veproi në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.
Megjithatë, promovimi institucional i këtij formacioni dhe përfshirja e ish-komandantit të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare ngrenë çështjen e mënyrës se si shteti serb po e paraqet historinë e luftës në Kosovë.
Promovimi i këtij dokumentari, duke marrë parasysh përmbajtjen e tij, mbështetjen institucionale dhe vazhdimësinë e prodhimeve të ngjashme, nxjerr në pah përdorimin e filmave dokumentarë si mjete të propagandës shtetërore serbe për luftën në Kosovë. Përmes kësaj narrative, institucionet serbe promovojnë veprimtarinë e forcave jugosllave, ndërsa lënë në hije krimet kundër popullsisë civile shqiptare, të vërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe promovimi i ish-komandantëve të dënuar për krime kundër njerëzimit tregojnë se këto prodhime nuk janë iniciativa të izoluara, por pjesë e një veprimtarie të përsëritur institucionale. Përmes tyre, Serbia glorifikon heroizmin e forcave të saj ushtarake, ndërsa lë në hije krimet e dokumentuara kundër popullsisë shqiptare.
Vetë Llazareviq ka konfirmuar se institucionet ushtarake serbe kanë mbështetur gjatë dekadës së fundit realizimin e një sërë dokumentarësh kushtuar njësive të Ushtrisë së Jugosllavisë. Kjo vazhdimësi e prodhimeve audiovizuale përbën një element të rëndësishëm për të kuptuar përdorimin e historisë së luftës në Kosovë në komunikimin shtetëror serb.
Paraqitja e njëanshme e ngjarjeve të viteve 1998–1999, pa trajtuar përgjegjësinë e vërtetuar gjyqësisht të strukturave ushtarake dhe politike serbe, përforcon shqetësimin për përdorimin e këtyre dokumentarëve si mjete propagandistike, me synim relativizimin e krimeve dhe ndryshimin e perceptimit publik për luftën në Kosovë.
Madje këto interpretime të historisë bie ndesh me gjetjet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Në aktgjykimin e 26 shkurtit 2009, të konfirmuar në pjesë thelbësore nga Dhoma e Apelit më 23 janar 2014, Tribunali konstatoi se forcat jugosllave dhe serbe zhvilluan gjatë vitit 1999 një fushatë të gjerë dhune kundër popullsisë civile shqiptare të Kosovës, e cila përfshinte dëbime të dhunshme, vrasje, dhunë seksuale dhe shkatërrim të objekteve fetare.
Në premierë morën pjesë ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq, si dhe gjenerali në pension Vladimir Llazareviq.
Gashiq falënderoi Llazareviqin për iniciativën e realizimit të dokumentarit, ndërsa e cilësoi veprimtarinë e Korpusit të Prishtinës si pjesë të rëndësishme të historisë dhe kujtesës kolektive serbe.
Duke folur për luftën në Kosovë, ministri serb përdori akuza ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e cilësoi organizatë terroriste, ndërsa veprimet e forcave jugosllave i paraqiti si përpjekje për mbrojtjen e shtetit.
Llazareviq u dënua për dëbimin dhe transferimin e dhunshëm të shqiptarëve
Vladimir Llazareviq ishte një nga drejtuesit e lartë ushtarakë të Ushtrisë së Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë.
Ai u dënua përfundimisht me 14 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për ndihmë dhe mbështetje në kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, përkatësisht dëbimin dhe transferimin e dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës.
Në janar të vitit 2014, Dhoma e Apelit e Tribunalit konfirmoi përgjegjësinë e tij penale, duke shqyrtuar rolin e strukturave ushtarake jugosllave në fushatën e zhvendosjes së detyruar të popullsisë shqiptare gjatë vitit 1999.
Pavarësisht këtij dënimi, Llazareviq vazhdon të përfshihet në aktivitete publike të institucioneve serbe që promovojnë veprimtarinë e njësive ushtarake të angazhuara në Kosovë.
Për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, përveç Llazareviqit, janë dënuar edhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë jugosllavë dhe serbë, përfshirë Nikola Shainoviqin, Nebojsha Pavkoviqin dhe Sreten Llukiqin.







