Ballina Europë Treni i pasgjerëve dhe i mallrave dalin nga shinat pas shembjes së...

Treni i pasgjerëve dhe i mallrave dalin nga shinat pas shembjes së dy urave, shtatë të vdekur në Rusi

94
0

Dy incidente të rënda kanë ndodhur gjatë natës në Rusi, ku shembja e dy urave hekurudhore ka sjellë pasoja tragjike, me të paktën shtatë persona të vdekur dhe mbi 30 të plagosur.

Ngjarja e parë ndodhi në rajonin e Bryanskut, ku një urë hekurudhore u shemb në momentin që një tren pasagjerësh po kalonte poshtë saj. Si pasojë, treni doli nga shinat duke shkaktuar vdekjen e makinistit dhe gjashtë pasagjerëve të tjerë. Treni po udhëtonte nga Moska drejt Klimovit kur ndodhi aksidenti, ndërsa ekipe shpëtimi vijojnë kërkimet për persona që mund të jenë ende të bllokuar në rrënoja.

Vetëm disa orë pas këtij incidenti, një tjetër ngjarje e ngjashme ndodhi në rajonin e Kurskut. Një urë tjetër hekurudhore u shemb në kohën që një tren mallrash po kalonte mbi të. Këtë herë, një nga makinistët e trenit u plagos, ndërsa nuk raportohet për viktima të tjera.

Autoritetet lokale kanë reaguar duke e cilësuar aksidentin në Bryansk si rezultat të mundshëm të një “ndërhyrjeje të paligjshme”, por pa dhënë më shumë detaje. Shkaku i saktë i të dy shembjeve mbetet ende i paqartë dhe deri tani nuk është identifikuar asnjë i dyshuar.

Hetimet janë në vazhdim dhe pritet të hidhet më shumë dritë mbi rrethanat e këtyre dy ngjarjeve që kanë tronditur vendin.