Ballina Sport Derbi i Milanos vishet kuqezi, Milani mposht Interin 3-1! Moreira protagonist, zhgënjen...

Derbi i Milanos vishet kuqezi, Milani mposht Interin 3-1! Moreira protagonist, zhgënjen skuadra e Chivut

37
0

Vetëm katër minuta iu deshën kuqezinjve për të kaluar në avantazh. Moreira kaloi Carlos Auguston dhe dërgoi një krosim në zonë, ku Pulisic u tregua i saktë me kokë, duke shënuar golin e parë. Interi nuk arriti të reagojë dhe në minutën e 10-të pësoi edhe golin e dytë. Pas një goditjeje nga këndi, Rabiot përfitoi nga pasiguria e mbrojtjes zikaltër dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Interi u përpoq të rikthehej në lojë përmes goditjeve standarde dhe në minutën e 22-të arriti të ngushtojë diferencën. Pas një goditje nga këndi, Akanji devijoi topin dhe Bastoni e dërgoi në portë, duke rihapur përkohësisht ndeshjen. Më pas Calhanoglu iu afrua barazimit, por Maignan reagoi në mënyrë të shkëlqyer. Portieri kuqezi u tregua vendimtar edhe ndaj Spence, duke mbajtur në avantazh skuadrën e tij.

Kur Interi po kërkonte gjithnjë e më shumë golin e barazimit, Milani goditi sërish. Në minutën e 43-të, Moreira ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Barriera zikaltër u hap dhe portieri Martinez, i cili reagoi me vonesë, nuk arriti të ndalonte topin. Kështu, pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-1 për kuqezinjtë.

Në pjesën e dytë pritej një reagim nga Chivu, por trajneri i Interit nuk bëri asnjë ndryshim në fillim dhe skuadra vijoi me të njëjtin sistem loje. Zikaltrit humbën gradualisht ritmin dhe bindjen, duke krijuar pak rrezik përpara portës së Maignan. Ndryshimet erdhën vetëm në minutat e fundit, kur në fushë u aktivizua edhe Dimarco dhe Interi kaloi në një formacion më ofensiv, me Pio dhe Bonny në mbështetje të Thuram.

Megjithatë, Milani administroi me qetësi avantazhin, u mbrojt mirë dhe nuk lejoi kundërshtarin të krijonte raste të pastra shënimi. Kuqezinjtë patën madje mundësinë të thellonin rezultatin me Cisse, por shifrat mbetën të pandryshuara deri në vërshëllimën përfundimtare.

Me këtë fitore, skuadra e Amorim merr tri pikë të rëndësishme dhe shkon në kuotën e 21 pikëve, katër më pak se Interi. Zikaltrit rrezikojnë të humbasin terren në renditje, ndërsa duhet të reflektojnë për problemet e repartit mbrojtës, pasi kanë pësuar 13 gola në dhjetë ndeshje.