Ballina Sport Në Argjentinë përmendet edhe Xherdan Shaqiri! Ja kujt i frikësohen se do...

Në Argjentinë përmendet edhe Xherdan Shaqiri! Ja kujt i frikësohen se do ta neutralizojë Messin

70
0

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka shprehur respekt të madh për Lionel Messi vetëm pak ditë para përballjes mes Zvicrës dhe Argjentinës në çerekfinalen e Kampionatit Botëror. Mesfushori 33-vjeçar pranoi se ndalimi i Messit është pothuajse një mision i pamundur, duke e cilësuar si privilegj faktin që luan në të njëjtën epokë me legjendën argjentinase.

“Nuk e di nëse mund ta ndalim për 90 minuta, apo edhe për 120 minuta.

Për mua dhe për ne që luajmë në epokën e Messit, është një privilegj”, deklaroi Xhaka në konferencën për media para ndeshjes, transmeton media argjentinase “Lanacion”.

Kapiteni helvetik e thelloi më tej vlerësimin e tij për yllin argjentinas.

“Është privilegj të luash kundër tij, është privilegj të jesh pjesë e epokës së Messit dhe është privilegj të jesh pjesë e historisë së tij. Ai është një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e futbollit”, u shpreh Xhaka.

Megjithatë, ai theksoi se Zvicra nuk do të futet në fushë vetëm për ta admiruar kundërshtarin.

“Sigurisht që do ta shijojmë këtë ndeshje, por gjithashtu duam të tregojmë personalitetin e Zvicrës dhe t’ia bëjmë jetën sa më të vështirë atij dhe Argjentinës“, tha kapiteni zviceran.

“Këto deklarata përfaqësojnë një ton më të qetë nga Xhaka, i cili gjatë këtij Botërori nuk ka hezituar të kritikojë publikisht bashkëlojtarët pas barazimit në ndeshjen hapëse ndaj Katarit, duke kërkuar më shumë disiplinë dhe përqendrim”, shkruan media argjentinase.

Pas atij momenti, Zvicra reagoi fuqishëm. Ajo mposhti Bosnjë e Hercegovinën me rezultat 4:1, triumfoi ndaj Kanadasë me 2:1 për të siguruar vendin e parë në Grupin B, eliminoi Algjerinë dhe më pas Kolumbinë pas penalltive, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës për herë të parë pas 72 vitesh.

Edhe në aspektin personal, ky është një turne historik për Xhakën. Me golin ndaj Bosnjë e Hercegovinës ai u bë, së bashku me Xherdan Shaqiri, një nga dy futbollistët e vetëm zviceranë që kanë shënuar gola në tre Kampionate Botërore të ndryshme: Brazil 2014, Rusi 2018 dhe Botërori 2026”, ka shkruar media argjentinase.

“Me 151 paraqitje për kombëtaren, Xhaka mban rekordin si futbollisti me më së shumti ndeshje në historinë e Zvicrës.

Pas karrierës te Baseli, Borussia Mönchengladbach, Arsenali dhe Bayer Leverkuseni, ai befasoi shumëkënd kur iu bashkua Sunderlandit në vitin 2025, duke shpjeguar se kërkonte një sfidë të re sportive dhe përvoja që do t’i shërbejnë në të ardhmen, pasi synon të bëhet trajner”, shkruan “Lanacion”

“Tani përpara tij është një tjetër sfidë e madhe. Përballë do të ketë Lionel Messin, futbollistin që e konsideron një legjendë të futbollit botëror dhe që do të përpiqet ta neutralizojë për ta mbajtur gjallë ëndrrën e Zvicrës për një arritje historike në Kampionatin Botëror”, ka përfunduar media argjentinase..