Kryendeshja e javës së 7-të në Abissnet Superiore, mes Dinamos dhe Teutës, e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, u ka shkuar durrsakëve me rezultatin 2:0.
Të besuarit e Edlir Tetovës shënuan nga një gol për secilën pjesë. Fillimisht, shifrat u zhbllokuan nga Pedro në minutën e 31-të. Pas një inkursioni të bukur në krah nga ekipi i Teutës, Pedro shfrytëzoi hapësirën në “zemër” të zonës mike dhe shënoi.
Problemet në linjat e lojës u evidentuan te Dinamo edhe në pjesën e dytë, aty ku Toli shënoi në minutën e 63-të.
Në total, kjo sfidë prodhoi 8 kartonë të verdhë, tregues i lojës së fortë, por që dinamovitëve nuk u vlejtën për asgjë.
Pas 7 javësh, Teuta grumbullon 19 pikë, përkohësisht 4 më shumë se Egnatia, duke nisur kështu shkëputjen në krye të renditjes.







