Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi në mbledhjen e sotme kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Vërejtje publike” ndaj magjistrates A.P., gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për mosrespektim të afatit të arsyeshëm të dorëzimit të vendimit të arsyetuar.
ILD ka nisur hetimin me iniciativë ndaj gjyqtares, bazuar në konstatimet e raportit të inspektimit tematik të ILD-së, “Mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Civile) dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë”, për vendimet përfundimtare të dhëna nga këto gjykata për periudhën 1 shtator 2022 – 30 dhjetor 2022.
Pas analizës rast pas rasti, ILD nënvizon se nga ky inspektim rezultoi se në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, 89 % e vendimeve janë dorëzuar brenda afatit 120-ditor.
“Ky afat është vlerësuar si koha e arsyeshme, që i nevojitet gjyqtarit apo gjykatës të dorëzojë vendimin përfundimtar të arsyetuar, pasi vetëm ky afat mund të bëjë dallimin dhe të shërbejë si një kohë e arsyeshme në situatën konkrete të ngarkesës, organikës dhe numrit të magjistratëve, apo tipologjisë së çështjeve të gjykuara”, thuhet në njoftimin për shtyp të ILD-së.
Inspektimi pasoi me fillimin e verifikimeve për gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vendimet e shpallura e të dorëzuara të arsyetuara në sekretari pas 120 ditëve nga shpallja.
Hetimi disiplinor ndaj gjyqtares A.P. për mosrespektim të afatit të arsyeshëm të dorëzimit të vendimit të arsyetuar, përfshinte 21 vendime të dorëzuara me vonesë. Për vonesën 2 vite e 4 muaj ILD ka kërkuar procedim, ndërsa për vonesat e tjera, ILD ka mbyllur hetimin dhe ka dërguar materialet në KLGJ për vlerësim profesional të magjistrates.
Hetimi i ILD-së konstatoi kryerjen e shkeljes disiplinore nga ana e magjistrates me pakujdesi në formë neglizhence; vonesat e evidentuara për një kohë të gjatë në arsyetimin e tre vendimeve gjyqësore; vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore nuk justifikohen nga shkaqe të arsyeshme personale, shëndetësore, familjare, pavarësisht se ato janë të lidhura direkt me magjistraten.
ILD vlerëson se si pasojë e mosveprimit të gjyqtares është cenuar prestigji i figurës së gjyqtarit, si dhe është cenuar besimi i publikut të drejtësia, kjo edhe në kushtet kur magjistratja ka një vjetërsi në detyrë prej mbi 19 vitesh si gjyqtare, tregues ky i njohjes shumë të mirë të saj mbi rolin e ushtrimit të detyrës me etikë dhe disiplinë të magjistratit.
Gjatë hetimit, ILD konsideroi si rrethana lehtësuese, mospasjen nga magjistratja të ndonjë mase disiplinore dhe sjelljen bashkëpunuese gjatë hetimit disiplinor, duke konkluduar se veprimet apo mosveprimet e gjyqtares A.P., përbëjnë “Shkelje të lehtë” disiplinore e duke i propozuar Këshillit të Lartë Gjyqësor masën disiplinore “Vërejtje publike”.
Në seancën e sotme, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.