Pas deklaratave publike ku Kryeministri Edi Rama përdori fotografitë dhe ngriti akuza të rënda ndaj tyre, tre qytetarë kanë ndërmarrë hapa konkretë ligjorë.
Të përfaqësuar nga avokatët Altin Goxhaj dhe Erald Aga, ata i janë drejtuar drejtësisë duke e paditur penalisht kreun e qeverisë për veprat penale të fyerjes dhe shpifjes.
Qytetarët nisën këtë betejë për të mbrojtur imazhin e tyre përballë asaj që ata e cilësojnë si cënim të prezumimit të pafajësisë dhe përdorim të pushtetit për të bërë “gjyqe publike”.
Më poshtë, deklarata e plotë për mediat të shpërndarë nga përfaqësuesit ligjorë:
SPAK NUK E ÇON RAMËN NË GJYKATËN SPECIALE? E ÇOJMË NE NË GJYKATË PËR FYERJE DHE SHPIFJE!
Tre qytetarë, Ervin Vrioni, Beonard Prençi dhe Adgert Fejza, të përfaqësuar nga avokatët Altin Goxhaj dhe Erald Aga, kanë vendosur të padisin penalisht Kryeministrin Edi Rama për veprat penale të fyerjes dhe shpifjes, sipas neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal.
Padia lidhet me deklaratën publike të Ramës më 23 tetor 2026, kur ai ekspozoi fotografitë e tyre dhe u atribuoi publikisht precedentë kriminalë e veprimtari të rënda të kundërligjshme, pretendime që tre qytetarët i kundërshtojnë.
Ndërsa SPAK nuk e ka çuar Ramën përpara Gjykatës së Posaçme për këto deklarime, ne po përdorim një rrugë të veçantë që na jep ligji. Nenet 119 dhe 120 kanë një veçanti procedurale: sipas nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, viktima akuzuese mund t’i drejtohet drejtpërdrejt gjykatës, pa pritur që prokuroria të ngrejë akuzën.
Askush nuk është mbi ligjin, as Kryeministri!
Kërkojmë që Edi Rama të përgjigjet përpara drejtësisë për deklarimet e tij, ndërsa gjykata të përcaktojë përgjegjësinë penale sipas ligjit.
Av. Altin Goxhaj – Av. Erald Aga
Përfaqësues ligjorë të tre viktimave akuzuese.







