Ballina Aktualitet “Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli, asgjë nuk është e pamundur”/ U...

“Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli, asgjë nuk është e pamundur”/ U plagos me plumb gome në protestën e studentëve, Erjon Vishkulli publikon foto nga spitali në Itali pas operacionit

46
0

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që mbeti i plagosur rëndë në syrin e majtë gjatë protestës studentore të 24 tetorit në Tiranë, ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga spitali në Itali, pas ndërhyrjes kirurgjikale që bëri të mundur shpëtimin e syrit të tij.

“Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli, asgjë nuk është e pamundur”, shkruan i riu krahas pamjeve të publikuara pas operacionit.

Edhe miqtë dhe familjarët e 28-vjeçarit kanë shpërndarë fotografi nga spitali, duke i shoqëruar me mbishkrimin “Tigri ynë!”, si shenjë mbështetjeje për të riun pas dëmtimit të rëndë që pësoi gjatë protestës.

Ndërhyrja kirurgjikale ka përfunduar me sukses, duke bërë të mundur ruajtjen e syrit të dëmtuar. Megjithatë, rikuperimi i shikimit mbetet ende i pasigurt dhe do të vlerësohet nga mjekët gjatë fazës së mëtejshme të trajtimit.

Ngjarja ndodhi më 24 tetor, gjatë protestës kombëtare të studentëve në Tiranë, ku Vishkulli u godit në syrin e majtë nga një objekt që dyshohet se ishte plumb gome, gjatë përplasjeve me policinë.

Menjëherë pas plagosjes, 28-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua ndërhyrjes së parë kirurgjikale. Për shkak të dëmtimit të rëndë dhe nevojës për trajtim më të specializuar, ai u transferua më pas drejt Italisë.

Më 25 tetor, Vishkulli njoftoi se kishte mbërritur në Romë, ku do t’i nënshtrohej një tjetër operacioni, me shpresën për të shpëtuar shikimin.

Ndërhyrja e parë në Itali u ndërpre për shkak të një hemorragjie të shfaqur gjatë operacionit, duke bërë që procedura të shtyhej për ditën pasardhëse.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat në të cilat u plagos Vishkulli, si dhe për të verifikuar dyshimet për përdorim joproporcional të forcës nga efektivët e Policisë së Shtetit.

Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në afërsi të Bankës së Shqipërisë, është këqyrur vendi i ngjarjes dhe janë administruar si prova materiale gëzhoja municionesh me plumba gome.

Gjithashtu, hetuesit po verifikojnë armët dhe municionet e përdorura nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë gjatë protestës.

Përmes ekspertizave, Prokuroria synon të përcaktojë llojin e objektit që shkaktoi plagosjen e 28-vjeçarit, si dhe të identifikojë personin që dyshohet se ka qëlluar.