Familja e Liridona Ademajt vijon të kërkojë drejtësi për vrasjen e saj, ndërsa pret vendimin e Gjykatës së Apelit për personat e akuzuar për përfshirje në këtë krim.
Vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, është shprehur se familjarët presin që dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën të mbeten në fuqi, ndërsa kërkojnë që edhe Kushtrim Kokalla të dënohet me burgim të përjetshëm.
“Ne presim që vendimi të jetë ai si për Naimin dhe Granitin, me burgim të përjetshëm, dhe presim që edhe për Kushtrimin të jepet vendimi me burgim të përjetshëm. Shpresojmë që lufta ndaj femicidit të përfundojë njëherë e përgjithmonë”, deklaroi ai.
Përmes kësaj deklarate, Leonard Ademaj ritheksoi kërkesën e familjes për dënimin maksimal të të akuzuarve, duke shpresuar që vendimi i Apelit të përmbushë pritshmëritë e tyre.
Familja Ademaj mbetet në pritje të vendimmarrjes së gjykatës dhe kërkon drejtësi për Liridonën.







