Fitorja dërrmuese e lëvizjes studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi po sjell tronditje edhe në median publike. Drejtoresha e përgjithshme e televizionit shtetëror RTS, Manja Gërçiç, ka dhënë dorëheqjen, pas presionit në rritje për ndryshime në një institucion të akuzuar prej kohësh për anshmëri politike në favor të pushtetit të Aleksandër Vuçiçit.
Gërçiç, e cila vetëm një ditë më parë kishte përjashtuar mundësinë e largimit, deklaroi se e kupton që një pjesë e publikut e sheh qëndrimin e saj në detyrë si pengesë për ndryshimin. Ajo ishte emëruar në krye të RTS-së në shkurt të këtij viti, me një mandat pesëvjeçar.
Largimi i saj vjen pasi Lista Studentore, fituese e zgjedhjeve të së dielës, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të drejtuesve dhe redaktorëve të lajmeve, duke i akuzuar për mbulim të njëanshëm dhe shkelje të standardeve profesionale.
Sipas përditësimit të fundit të Komisionit Zgjedhor, studentët kanë siguruar 140 nga 250 vendet në parlament, kundrejt 104 të Partisë Progresiste Serbe të Vuçiçit. Rezultati ende nuk është përfundimtar. Më herët, televizioni9 publik i Vojvodinës, RTV, u kërkoi falje shikuesve, duke pranuar se për vite me radhë nuk kishte përmbushur misionin e tij publik, për shkak të raportimit të njëanshëm dhe mungesës së pyetjeve kritike.
Organizata Reporterët pa Kufij e renditi Serbinë në vendin e 104-t nga 180 shtete në indeksin e lirisë së shtypit për vitin 2026, pozicioni më i dobët në historinë e vendit.







