Eleanor Cobham, dukesha e Gloucesterit, dukej se ishte e destinuar të bëhej mbretëreshë e Anglisë. Por më pas ajo u shpall fajtore për nekromanci, herezi dhe magji të zezë, në një skandal që u bë një nga shkaqet që çuan drejt Luftërave të Trëndafilave. A ishte ajo një sataniste intrigante apo një gur shahu në një lojë politike? Një roman i ri rrëfen historinë e saj.
Në vitin 1441, Eleanor Cobham ishte bashkëshortja e Humphrey-t të Lancasterit, dukës së Gloucesterit, trashëgimtarit të mundshëm të mbretit të dobët dhe pa fëmijë, Henri VI. Mundësia për t’u bërë mbretëreshë ishte jashtëzakonisht e afërt. Por, ndërsa ndikimi i Humphrey-t në oborrin mbretëror po zbehej, nisën të qarkullonin akuza se Eleanor i ishte drejtuar arteve të errëta për të siguruar trashëgiminë e të shoqit. Këto akuza çuan në shpalljen e saj fajtore për magji të zezë të lidhur me tradhtinë ndaj mbretit, duke shkaktuar skandalin e shekullit dhe duke krijuar hapësirë për pretendime rivale ndaj fronit.
Tani, rrëfimi i trilluar i historisë së Eleanor Cobham nga Philippa Gregory, në romanin Royal Witch (Shtriga mbretërore), po e vë në qendër të vëmendjes një grua që mbahet mend për ambicien dhe bukurinë e saj, por që u kthye në një figurë përçarëse. Disa besojnë se provat kundër shtrigës së parë dhe të vetme mbretërore të Anglisë të dënuar për magji ishin të falsifikuara dhe se ajo ishte thjesht një gur shahu në një lojë politike. Megjithatë, Gregory e paraqet si një figurë më të pamëshirshme, e cila e përcaktoi vetë fatin e saj.
“Ajo iu dorëzua tundimit për të përdorur magjinë e zezë për të vrarë mbretin dhe për të siguruar fronin e Anglisë për veten, nëpërmjet të shoqit”, thotë autorja. “Ajo është një nga ato gra shumë, shumë të rralla, të akuzuara për magji të zeza, të cilat në të vërtetë e praktikonin atë.
Për disa njerëz, kjo ish-zonjë shoqëruese e oborrit mbretëror, e cila i rrëmbeu bashkëshortin zonjës së saj, Jacqueline, konteshës së Hainaut-së, ndërsa ende shërbente pranë saj, ishte një figurë e dyshimtë që në fillim: një ndërhyrëse e paskrupullt, mënyra e shfrenuar e jetesës së së cilës shkaktoi edhe më shumë pakënaqësi. Ajo duhej vënë në vendin e saj.
Interesi i Eleanor-it dhe Humphrey-t për botën e mbinatyrshme dëshmohej nga biblioteka e tyre e pasur. Por në Këshillin e Mbretit mbërritën thashetheme se Eleanor, e etur për t’u bërë mbretëreshë, kishte komplotuar për të parashikuar vdekjen e mbretit, së bashku me persona të tjerë, mes tyre shëruesen Margery Jourdemayne, e njohur si “Shtriga e Eye”, dhe studiuesin e astrologjinë e vlerësuar, Roger Bolingbroke. Kështu u ngrit një çështje për tradhti.
Akuza të sajuara?
Nën drejtimin e kardinalit Henry Beaufort, gjysmëxhaxhait dhe rivalit të betuar të Humphrey-t, Eleanor-it iu drejtuan 18 akuza për nekromanci (thirrjen e shpirtrave të të vdekurve për të përfituar njohuri të fshehta), herezi dhe magji të zezë. Ndër to përfshiheshin sigurimi i përzierjeve magjike, porositja e një harte astrologjike për të parashikuar vdekjen e mbretit dhe krijimi i një figure prej dylli të mbretit, me qëllimin për t’i shkaktuar atij dëme fatale. Ndoshta për t’u mbrojtur nga akuzat për tradhti dhe për të lënë të kuptohej se magjia përdorej vetëm për çështje personale, Eleanor pranoi se kishte marrë nga Margery Jourdemayne përzierje për të nxitur dashurinë dhe pjellorinë.
“Unë mendoj se akuzat janë pjesë e një fushate për të njollosur reputacionin e saj. Eleanor është një pikë e dobët për të shoqin.” Dr Euan Roger
Për shumë historianë, këto ishin akuza të sajuara, të motivuara politikisht. Siç vëren Gemma Hollman në librin e saj Royal Witches: From Joan of Navarre to Elizabeth Woodville (2019), parashikimet astrologjike për të ndihmuar në marrjen e vendimeve të rëndësishme “nuk ishin një praktikë e pazakontë, madje as në radhët e familjeve mbretërore”. Ajo vijon: “Nëse ajo vërtet provoi përzierje dashurie për të lindur një fëmijë, atëherë vështirë se ndryshonte shumë nga gratë e tjera që ndodheshin në të njëjtën situatë në atë kohë.”
Disa komentues mendojnë se Eleanor meriton keqardhjen tonë.
“Unë mendoj se ka diçka vërtet të trishtueshme në këtë histori”, i thotë BBC-së Dr Euan Roger, historian i Anglisë së Mesjetës së Vonë dhe të periudhës Tudor, si dhe specialist kryesor i dokumenteve në Arkivin Kombëtar. “Mendoj se ajo që po ndodh në të vërtetë këtu, arsyeja pse ajo pranon fajësinë për disa nga akuzat që lidhen me magjinë e zezë, është se po përpiqej të ngjizej dhe po i drejtohej asaj që konsiderohej magji për ta arritur këtë.”
Akuza për përdorimin e një përzierjeje dashurie i dha këshillit mbretëror pretekstin e përsosur për të zgjidhur martesën e saj me trashëgimtarin e fronit, ndërsa akuzat për tradhti e kthyen të shoqin në një person të padëshiruar në oborrin mbretëror.
“Unë mendoj se ato [akuzat] janë pjesë e një fushate për të njollosur reputacionin e saj”, thotë Roger. “Eleanor është një pikë shumë e dobët për të shoqin. Dihet se ajo ka interes për praktikat okulte dhe anëtarët e këshillit e shohin këtë si një mënyrë për të goditur të shoqin.”
Sipas tij, provat kundër saj nuk janë të besueshme.
“Pjesa më e madhe e tyre vjen nga rrëfimi i Bolingbroke-s, i cili pothuajse me siguri u bë publik për ta implikuar Eleanor-in… [dhe] ai, pothuajse me siguri, po torturohej në fshehtësi.”
Çështja kundër saj
Në të kundërt, në romanin Royal Witch, Eleanor nuk është thjesht nismëtarja, por qëndron në qendër të ngjarjeve. Ajo gërvisht në dyll portretin e mbretit dhe e vendos figurën mes tufave me flokët e tij të errët dhe kaçurrelë. I shkruar në vetën e parë, libri e paraqet atë duke përdorur magjinë “jo vetëm për të pasur një fëmijë… por për të pasur një mbret, për të shpëtuar vendin, për të shpëtuar familjen mbretërore… për t’u bërë e madhe”.
Për Gregory-n, çështja kundër Eleanor-it është bindëse.
“Ka shumë prova për gjëra që po ndodhnin dhe që në atë kohë do të konsideroheshin magji e zezë, e ndoshta edhe satanizëm”, i thotë ajo BBC-së. Ajo vëren se Roger Bolingbroke “nuk e tërhoqi kurrë rrëfimin e tij” dhe mendon se është domethënëse që të akuzuarit nuk e kundërshtuan pafajësinë e tyre “me më shumë vendosmëri”.
“Nuk mendoj se dikush do të kishte ndërmarrë veprime kundër saj pa pasur prova vërtet, vërtet bindëse.” Philippa Gregory
Ajo thekson gjithashtu se gjyqi i Eleanor-it nuk ishte një gjyq i zakonshëm për magji të zezë.
“Ajo është në kulmin e suksesit të saj. Është një dukeshë mbretërore. Gëzon shumë favorin e mbretit dhe është në radhë për të trashëguar fronin. Ndodhet në një pozitë me fuqi dhe ndikim të jashtëzakonshëm dhe nuk mendoj se dikush do të kishte ndërmarrë veprime kundër saj pa pasur prova vërtet, vërtet bindëse.”
Gregory i jep Eleanor-it një rol të madh në përcaktimin e fatit të saj në roman.
“Kjo është një grua jashtëzakonisht ambicioze, e cila e ndërton vetë jetën e saj”, shpjegon ajo. Në roman, Eleanor thotë: “Dua të fitoj diçka për veten time. Të fitoj titullin tim, pasurinë time, tokat e mia. Do të doja ta bëja këtë me një burrë që e dua, por jo që ai ta bëjë në vendin tim.”
Në veprën Royal Witch, kjo grua tërheqëse, të cilën një kronist i shekullit XV e përshkruan si “jashtëzakonisht të bukur dhe të këndshme”, manipulon burrat për të përparuar në shoqëri, shpesh duke fshehur përvojën dhe zgjuarsinë e saj, në përputhje me pritshmëritë e ulëta që ata kanë për gratë. Duke shpresuar të tërhiqte vëmendjen e dukës Humphrey gjatë një shëtitjeje me kalë, ajo shtiret si e brishtë.
“Jam një kalëruese e zonja”, i rrëfen ajo lexuesit, “… por është më mirë të dukesh e brishtë, në mënyrë që t’u japësh burrave mundësinë të tregojnë shpirtin e tyre kalorësiak.”
Më vonë, gjatë gjyqit, ajo përdor të njëjtën taktikë, duke u shtirur si “një grua e frikësuar, e pafajshme si një vajzë e virgjër”. Sipas rrëfimit të Gregory-t, Eleanor është gjithashtu ajo që nxit ambicien e të shoqit. Ky portretizim të kujton dramën historike të Shekspirit Henri VI, Pjesa II, në të cilën Eleanor e nxit Humphrey-n me fjalët: “Zgjate dorën, syno arin e lavdishëm.”
“Një grua ambicioze”
Megjithatë, sipas disa historianëve, ambicia dhe suksesi i Eleanor-it nuk e bëjnë atë më pak viktimë të gjyqit.
“Ishte ambicia e Eleanor-it ajo që e çoi drejt shkatërrimit”, shkroi historiani i Mesjetës Ralph Griffiths në esenë e tij themelore të vitit 1969, The Trial of Eleanor Cobham. “Pika e dobët e Eleanor Cobham-it ishte interesi i saj për magjinë e zezë dhe nekromancinë; kur ajo i ndërthuri këto me ambicien politike, disa i shndërruan këto praktika në tradhti.”
“Një pjesë e madhe e kësaj kishte të bënte me rrëzimin e një gruaje ambicioze”, pajtohet Roger. “Nëse shohim më vonë, te Eduardi IV dhe Elizabeth Woodville, vërejmë se qarkullonin thashetheme të ngjashme [për magji të zezë]. Mendoj se, veçanërisht në atë periudhë, kjo ishte një mënyrë e mirëfilltë për të sulmuar gratë fisnike.”
“Mendoj se ideja e gruas si viktimë pasive është historikisht e pavlefshme. Ne e kemi bartur këtë këndvështrim prapa në kohë, duke shpërfillur shumicën e grave.” Philippa Gregory
Nëse ky ishte vërtet një gjyq i organizuar për të dhënë një shembull, ndëshkimet ishin padyshim poshtëruese dhe tronditëse.
Për rolin e tij në skandal, Roger Bolingbroke u dërgua në një skenë publike, ku, i veshur me një kurorë prej letre dhe i ulur në karrigen e tij të magjisë, i rrethuar nga vegla magjike, u detyrua të hiqte dorë publikisht nga bindjet e tij heretike. Disa muaj më vonë, ai u var, iu hoqën organet dhe u copëtua në katër pjesë, ndërsa koka e tij u ekspozua në Urën e Londrës. Margery Jourdemayne u dogj në turrën e druve.
Kisha, e cila e gjykoi Eleanor-in së bashku me Këshillin e Mbretit, e përdori atë si shembull për të tjerët. Dënimit me burgim të përjetshëm i paraprinë tri ditë pendese publike. Këmbëzbathur, e veshur vetëm me një këmishë të thjeshtë dhe duke mbajtur një qiri të rëndë prej dylli, ajo u detyrua të ecte nëpër Londër gjatë ditëve më të ngarkuara të tregut.
Megjithatë, pavarësisht mizorisë që iu tregua Eleanor-it, Gregory refuzon ta paraqesë atë si viktimë dhe, edhe gjatë robërisë, zgjuarsia dhe guximi i saj e mahnitin lexuesin.
“Mendoj se ideja e viktimës pasive është historikisht e pavlefshme”, thotë ajo. “Ne kemi marrë këndvështrimin viktorian për gratë… dhe e kemi bartur atë në të gjitha periudhat historike, duke shpërfillur plotësisht shumicën e grave që janë aktive, të vendosura dhe të afta, edhe në rrethana mjaft shtypëse, siç ishte martesa në Mesjetë.”
Pavarësisht nëse veprimet e Eleanor-it ishin të qëllimshme apo nëse u ekzagjeruan qëllimisht nga të tjerët, përfshirja e saj në praktikat e magjisë së zezë ndihmoi në ndryshimin e rrjedhës së historisë. Gjyqi i paprecedentë i një gruaje fisnike bëri të nevojshme miratimin e legjislacionit të ri, i cili më vonë do të përdorej kundër Anne Boleyn-it, duke i hapur rrugën Henrit VIII për t’u rimartuar.
Akuzat kundër Eleanor-it, si dhe turpërimi i Humphrey-t për shkak të lidhjes me të, e dobësuan Shtëpinë e Lancasterit, duke i krijuar hapësirë fraksionit rival, Shtëpisë së York-ut, dhe duke i hapur rrugën Luftërave të Trëndafilave: tri dekada konflikti të ashpër civil për fronin.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që Gregory duket pothuajse e zhgënjyer që ambiciet politike të Eleanor-it u shuan.
“Mendoj se ajo do të kishte qenë një mbretëreshë e mirë”, thotë ajo, duke iu referuar aftësive të saj të mprehta në marrëdhëniet me publikun dhe përvojës së saj me konfliktet e huaja. Sipas romancieres, Eleanor mund të ketë qenë “egoiste” dhe “narcisiste”, por “këto janë cilësitë që të duhen për të qenë një mbretëreshë mesjetare”.
Në pasthënien e romanit Royal Witch, ajo rrëfen: “Më pëlqen një grua që mund të shohë errësirën brenda vetes dhe të mos ketë frikë prej saj, as të kërkojë falje për të.”







