Ballina Bota “Dua të bëhem e famshme”/ Tragjedi në SHBA: 19-vjeçarja humb jetën nga...

“Dua të bëhem e famshme”/ Tragjedi në SHBA: 19-vjeçarja humb jetën nga sfida “Dusting” në rrjet

0
15

Një ngjarje tragjike ka tronditur Arizonën e Shteteve të Bashkuara, ku një vajzë 19-vjeçare, Rena O’Rourke, ka humbur jetën si pasojë e pjesëmarrjes në një sfidë të rrezikshme që po qarkullon në internet, e njohur si “dusting”.

Kjo sfidë virale i nxit të rinjtë të regjistrojnë veten teksa thithin gaz nga spërkatës për pastrimin e tastierave kompjuterike, me qëllimin për të përjetuar një ndjesi të përkohshme euforie. Por efektet janë jashtëzakonisht të rrezikshme për shëndetin dhe jetën.

Pas thithjes së gazit, Rena pësoi arrest kardiak dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku qëndroi për një javë në njësinë e kujdesit intensiv. Fatkeqësisht, mjekët konstatuan se ajo ishte në gjendje të pakthyeshme – kishte pësuar vdekje të trurit. Si shkak i vdekjes u konstatua sindroma e vdekjes së papritur nga thithja e kimikateve.

Babai i saj, Aaron O’Rourke, shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e vajzës së tij, duke kujtuar fjalët e saj të përsëritura:

“Gjithmonë thoshte: ‘Do të bëhem e famshme, babi. Do të bëhem e famshme’. Dhe fatkeqësisht, kjo ndodhi në mënyrën më tragjike të mundshme.”

Një mjek në një spital të Arizonës shpjegoi për New York Post se gjatë sfidës “dusting”, përdoruesi përjeton një ndjesi si dehje, por gazrat kimikë zëvendësojnë oksigjenin në mushkëri dhe në trup, duke shkaktuar dëme të menjëhershme dhe fatale në shumë raste.

Problemi thelbësor? Ky lloj gazi mund të blihet lirisht, pa ndonjë identifikim apo kufizim moshe.

Prindërit e Renës i bënë një thirrje publike të gjithë familjeve:

“Mos i besoni aq shumë. Kontrolloni dhomat e tyre. Mund të duket e frikshme, por ndonjëherë, kjo mund t’ua shpëtojë jetën.”