Grupi i njohur mercenar rus Wagner njoftoi të premten se po largohet nga Mali, pas më shumë se tre vjet e gjysmë luftimesh kundër grupeve ekstremiste islamike dhe kryengritësve në vend.
Megjithatë, prania ruse në Mali nuk do të mbarojë me këtë tërheqje. Një forcë tjetër e armatosur, e kontrolluar nga shteti rus, e quajtur “Africa Corps”, bëri të ditur përmes kanalit të saj në Telegram se nuk do të ketë ndryshime në praninë ushtarake ruse në vend, raporton AP.
“Misioni i përfunduar. Kompania Ushtarake Private Wagner kthehet në shtëpi,” – thuhej në njoftimin e tyre në Telegram. Ata pretenduan se kishin vendosur kontrollin mbi kryeqytetet rajonale, kishin dëbuar militantët dhe kishin vrarë komandantët e tyre.
Mali, bashkë me Burkina Faso dhe Niger, prej më shumë se një dekade po përballen me një kryengritje të dhunshme islamike, përfshirë grupe të lidhura me al-Kaedën dhe Shtetin Islamik (ISIS).
Pas grushteve të shtetit në këto vende, qeveritë e reja ushtarake janë larguar nga partneritetet me vendet perëndimore dhe kanë afruar bashkëpunimin me Rusinë.