Lulzim Toçi, një 31 vjeçar me origjinë shqiptare i arrestuar për vrasjen e gruas së tij Eleonora Toçi, i ka dhënë fund jetës rreth orës 13:00 të ditës së sotme.
Vetëvrasja ndodhi në repartin psikiatrik të burgut të San Marinos, ku 31 vjeçari po vuante dënimin për vrasjen e gruas së tij më 9 tetor 2024, në shtëpinë e tyre në San Felice a Cancello, përpara dy fëmijëve të tyre, atëherë 6 dhe 4 vjeç.
Lulzim Toçi, reth nëntë muaj më parë vrau bashkëshorten e tij 24 vjeçare dhe trupin e pajetë e la në shtëpi. Eleonora u mbyt para dy fëmijëve të moshës 6 dhe 4 vjeç, të cilët pak më vonë i treguan tezes në një video-telefonatë trupin e pajetë të nënës së tyre, ende të shtrirë në shtrat.
“Ishte babi “, mësohet të kenë thënë fëmijët. Ngjarja ndodhi në San Felice a Cancello, një qytet i vogël në zonën e Casertës, ku Lulzim Toçi, 31 vjeç me origjinë shqiptare, vrau gruan e tij 24 vjeçare, Eleonora, e cila gjithashtu ishte shqiptare.
Pasi ndodhi vrasja e bashkëshortes, një mik i Lulzimit ka treguar se ai kishte kaluar disa ditë i shqetësuar dhe ishte shtruar në spital vetëm disa orë para ngjarjes, pasi po përjetonte gjendje të rënduar emocionale.
Ditën e vrasjes, familja kishte kaluar një ditë të zakonshme, por në mesnatë, pas një debati, Lulzimi kishte pësuar një krizë emocionale/psikologjike dhe kishte kryer vrasjen.