Ballina Europë Beleri nuk është i vetmi, ja kush janë eurodeputetët që u zgjodhën...

Beleri nuk është i vetmi, ja kush janë eurodeputetët që u zgjodhën nga burgu

25
0

Fredi Beleri nuk është i burgosur i vetëm, i cili nga qelia arriti të zgjidhej deputetet në Parlamentin Europian. Rasti tjetër është shënuar në Itali, ku Ilaria Salis, mori 165 mijë vota nën siglën e Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë.

Salis është një mësuese nga Monza, e cila njihet si antifashiste, me bindje të majta dhe që prej 15 muajsh ndodhet e burgosur në Hungari.

Lajmi u bë publik mbrëmjen e të dielës nga lideri i të majtës italiane Nicola Fratoianni, në komisionin zgjedhor të Avs në Romë, i cili deklaroi se “duke filluar nga sot Salis është një eurodeputete”.

“Nga këtu dërgojmë një përqafim të madh për Ilaria Salis, beteja për demokraci fillon sot por do të jetë edhe më e fortë”, shtoi zëdhënësi i të Gjelbërve, Angelo Bonelli.

Pas publikimit të fotos në gjykatë me zinxhirë në kyçet e dorës dhe kyçin e këmbës, rasti i Ilaria Salias, mori vëmendjen maksimale të të majtëve, të cilët u fokusuan kryesisht në temën e shtetit të së drejtës. Salis u bë pjesë e listës së Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë me qëllimin e vetëm se zgjedhja si eurodeputete mund të ndikonte në lirimin e saj.

Videoja e Salis nga gjykata hungareze, u bë ndër videot më të klikuara në Tik Tok, duke rritur popullaritetin e saj.

Pas qëndrimit për rreth 14 muaj në paraburgim, Ilaria Salis tashmë po mbahet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” në Budapest.

U deshën disa ditë për të zbatuar vendimin e gjyqtarëve pas pagesës me kusht prej 40,000 euro.

Salis u arrestua më 11 shkurt 2023 së bashku me dy aktivistë gjermanë me akuzën e pjesëmarrjes në rrahjen e tre militantëve të ekstremit të djathtë, duke u akuzuar për pjesëmarrje në grup kriminal.

Pas muajsh tensionesh diplomatike dhe protestash kundër Hungarisë për paraburgimin e Salis, çështja e aktivistes mori një kthesë pasi ajo u emërua nga Aleanca e Gjelbër e Majtë në Itali si kandidate për zgjedhjet evropiane, ku rezultoi dhe fituese.