Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Evropiane po shqyrtohet projekt pozicioni negociues për grupkapitullin e katërt “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme” për negociatat me BE.
Dy ditë më parë, presidenca polake e BE i kërkoi qeverisë shqiptare që të paraqesë pozicionin e saj negociues për këtë grupkapitull, i cili do të paraqitet në konferencën e radhës ndërqeveritare.
Kryetarja e komisionit për Çështjet Evropiane dhe njëkohësisht deputetja e PD, Jorida Tabaku ishte kritike ndaj qeverisë për 11 majin, duke thënë se rruga drejt BE-së nuk mund të jetë fasadë që injoron standartet demokratike. Sipas saj, s’mund të sillemi si evropianë në Bruksel dhe shqiptarë në Tiranë.
“Po diskutojmë për grupkapitullin 4 që është shumë i rëndësishëm për mjedisin, energjinë dhe ndërlidhjen, por nuk mund të injorojmë faktin që sapo kemi dalë nga një proces zgjedhor me probleme të thella. Ky është kapitulli themelor, ai i zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit. Dhe për fat të keq, testi demokratik dështoi.
Ne nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si shqiptarë në Tiranë. Nuk mund të firmosim kapituj në letër kur po mbyllim sytë përballë deformimit të vullnetit të qytetarëve,” u shpreh Tabaku.
Kjo solli reagimin e Mimi Kodhelit, e cila tha se këtë komision duhet të diskutojnë për çështje të tjera dhe jo të bëjnë politikë. Kodheli shtoi se ka instanca të tjera ku mund të adresohen shqetësimet politike.
“Unë gjykoj, se me respektin për kolegët prezent që mbledhja e Komisionit të Çështjeve evropiane është mbledhje ku qeveria vjen me disa letra dhe anëtarët diskutojnë, propozojnë dhe hartojnë ndryshimet respektive që në fund garantohen.
Kemi mjaftueshëm tribuna për të bërë komentet tona politike jashtë këtij komisioni, ku mund të shpalosim opinionet tona politike, që nga zgjedhjet dhe rezultati i tyre spektakolar. Për këtë më duhet të falënderoj, meqë jemi duke diskutuar politikisht, çdo qytetar të republikës që kanë votuar bindshëm forcën që drejton sot vendin. Ka një diskutim të madh që bëhet mbi kodin zgjedhor dhe mënyrën se si qytetarët e shprehin vullnetin e tyre votën demokratike”, tha Kodheli.