Nga mjedisi i ngrohtë i arrestit të shtëpisë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka vendosur t’i përvishet punës akademike. Pasi kaloi një periudhë të gjatë në paraburgim, Beqaj i ka dërguar Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë 10 propozime (9 konkrete dhe 1 të përgjithshëm) për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.
Në deklaratën e tij, ai pranon se frymëzimi vjen nga përvoja personale trevjeçare me SPAK-un dhe GJKKO-në. Aty ku prokurorët shohin procedura, Beqaj sheh absurditete. Ai shprehet i habitur nga praktika e organit të akuzës dhe gjykatës:
“Mua më duket absurd arsyetimi se meqenëse Kodi i Procedurës Penale nuk parashikon sanksione ndaj prokurorëve për moszbatimin e neneve të caktuara të tij, kjo t’i lejoje prokurorët… që të mund të mos e zbatojnë Kodin.”
Për këtë arsye, ai kërkon me ngulm:
“Popullojeni Kodin e Procedurës Penale me sanksione ndaj prokurorëve në rast të moszbatimit të tij.”
Më tej, ish-ministri bën me mjeshtëri llogaritë matematike mbi pamundësinë për të lexuar dosjen e tij voluminoze brenda afatit 10-ditor:
“Në një dosje prej 250,000 faqesh, edhe duke llogaritur vetëm një minutë për faqe dhe 10 orë punë në ditë, brenda këtij afati mund të lexohen vetëm 6,000 faqe, ose 2.4% e dosjes.”
Nuk mungojnë as kërkesat për teknologjinë e lartë. Beqaj kërkon të drejtën e kompjuterit në qeli dhe mbrojtje për telefonat inteligjentë, duke kujtuar se:
“Telefoni inteligjent, kompjuteri, serveri, hard disku… nuk janë më thjesht ‘sende’… Ato mund të përmbajnë një pjesë të konsiderueshme të jetës private të individit.”
Ai ankohet gjithashtu edhe për vendosjen e të pandehurve në kafazet e xhamit gjatë seancave, duke cituar me shqetësim vendimet e gjykatës:
“Jam kurioz të shoh vendimin e arsyetuar të datës 14.09.2026 për zotin Meta, pasi në 08.06.2026 po GJKKO e Apelit ka arsyetuar se ‘në këtë gjykatë të gjithë të pandehurit me masë sigurimi arrest me burg qëndrojnë në dhomë sigurie’.”
Në fund, Beqaj e mbyll leksionin e tij duke kërkuar që ndryshimet ligjore të mos lihen vetëm në dorë të prokurorëve e gjyqtarëve, pasi sipas tij:
“Procedura penale nuk është vetëm instrument për hetimin dhe gjykimin; ajo është, para se gjithash, sistemi i garancive që mbron individin përballë ushtrimit të pushtetit penal të shtetit.”
Mbetet për t’u parë se sa me vëmendje do t’i mbajë shënimet grupi i punës për këto leksione falas nga arresti i shtëpisë./vna







