Ballina Politika ​Muzika në Beograd po ndryshon me shpejtësi/ Pse Rama vendosi ta mbrojë...

​Muzika në Beograd po ndryshon me shpejtësi/ Pse Rama vendosi ta mbrojë sërish Vuçiçin në Bruksel

66
0

Kur Edi Rama u ul përpara gazetares së Euronews në Bruksel për të folur për integrimin në Bashkimin Evropian, nuk ishte çudi që fillimisht ai u pyet për zhvillimet në Serbi.

Dikush mund të thotë se gazetarja është nisur nga fakti se Rama dhe Vuciç kanë qenë shumë të afërt edhe në skenën ndërkombëtare.

Por nuk duhet shumë për të kuptuar se autokratët janë në një aleancë të vazhdueshme kudo që janë. Çdo gazetar dhe studiues perëndimor e di këtë gjë. E megjithatë Edi Rama vendosi t’i bëjë një tjetër shërbim Vuçiçit në Bruksel, duke thënë se muzika në Beograd nuk pritet të ndryshojë.

Nuk e dimë se si mund ta ketë pritur Vuçiçi këtë nder të radhës nga miku i tij, por fakti ishte se ndërkohë që Rama fliste, disa nga mediat më me peshë në arenën ndërkombëtare, duke nisur nga Financial Times, Bloomberg e Associated Press shkruanin se regjimi i Vuçiçit po çmontohet me shpejtësi në Beograd.

Muzika jo vetëm po ndryshon, por ritmi i saj është përshpejtuar.

Madje ky regjim po shkrihet akoma pa u formuar parlamenti i ri, çka do të thotë se çmontimin po e bëjnë pikërisht strukturat që Vuçiçi ka mbajtur dhe ushqyer për vite e dekada.

Ky është një tregues i qartë për Edi Ramën se në momentin që ai do largohet nga pushteti, të parët që do e ‘shqyejnë’ atë dhe sistemin e tij do jenë njerëzit e sektit kleptokratik.

Shenjat kanë nisur të jepen që tani me përplasjen e nisur shumë kohë më parë, por të shpërthyer aktualisht me kryebashkiakun e burgosur, Erion Veliaj.

Mediat perëndimore theksojnë se çmontimi në Beograd po nis fillimisht nga rrjeti i propagandës që ka mbajtur në këmbë autokracinë elektorale të Vuçiçit.

Nuk është çudi që edhe altoparlantët e Ramës të jenë të parët që të kërkojnë falje për lavazhin e trurit që u kanë bërë shqiptarëve, për korruptimin e gjuhës në shërbim të cinizmit, për manipulimin që synon t’i barazojë të gjithë në shërbim të tezës se askush nuk e meriton të qeverisë vendin, për propagandën e shëmtuar se të gjithë janë të kapur dhe se vendi nuk ka alternativë, për manovrat e ndyra për të zhveshur Ramën nga përgjegjësitë, për faktin që nuk kanë folur kurrë për narkoshtetin apo farsën elektorale.

Por ndërsa Rama zihej me gazetaren e Euronews, e cila e gozhdoi për dhunën brutale policore gjatë protestave studentore, një nga mediat më të rëndësishme të kontinentit, prestigjiozja LE MONDE theksonte se revolta rinore nuk është zbehur pavarësisht represionit të Ramës.

Vërtet Rama vendosi t’i bëjë një tjetër shërbim Vuçiçit, me të cilin bashkoi edhe forcat në një editorial që synonte të pengonte më shumë integrimin e vendit; vërtet sot nuk guxoi të përmendte një datë për anëtarësimin në BE, por fakti kokëfortë është se ky është një annus horribilis për diktatorët elektoralë.

Ndaj edhe këto dy muaj do i duken më shumë se dekada.