Një ngjarje tragjike është regjistruar mesditën e sotme në Bulqizë, ku një 53-vjeçar dyshohet se ka humbur jetën pas sulmit nga një ari. Sipas informacionit paraprak të policisë, burri është sulmuar dhe kafshuar nga kafsha e egër, ndërsa familjarët kanë kërkuar ndihmë mjekësore për të.
Njoftimi i policisë
Bulqizë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:10 të ditës së sotme, Spitali i Bulqizës ka njoftuar Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë se familjarët e shtetasit U. F., rreth 53 vjeç, kishin kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ky i fundit dyshohet se ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër (ari).
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se 53-vjeçari kishte humbur jetën. Trupi i pajetë i shtetasit U. F. është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.







