Ballina Sport Lewis Hamilton flet për drejtorin

Lewis Hamilton flet për drejtorin

16
0

Në prag të Çmimit të Madh të Kanadasë në Montreal, piloti britanik Lewis Hamilton ka shprehur mbështetje të plotë për drejtuesin e Ferrarit, Frederic Vasseur, duke e cilësuar si njeriun e duhur për ta rikthyer “Kokëkuqen” në maja.

“Fred është arsyeja kryesore pse jam pjesë e Ferrarit. Unë jam këtu për të fituar me të dhe ai ka mbështetjen time të plotë,” tha Hamilton në një prononcim përpara garës së fundjavës.

Ferrari ka pasur një fillim të vështirë sezoni, me vetëm tre podiume të siguruara nga Charles Leclerc, ndërsa Hamilton ka fituar vetëm garën sprint në Kinë. Në Spanjë, britaniku u rendit në vendin e gjashtë dhe e cilësoi atë si garën më të keqe që ka bërë ndonjëherë me Ferrarin sa i përket balancës së makinës.

Raportimet nga disa media italiane për një zëvendësim të mundshëm të Vasseur u cilësuan si “nonsens” nga Hamilton, ndërsa Ferrari nuk i komentoi fare. “Nuk është temë diskutimi. Nuk ka asnjë arsye për ndryshim. Ne kemi nisur një proces të gjatë dhe ndryshimet kërkojnë kohë për të dhënë efekt,” theksoi ai.

Hamilton pranoi se makina që po përdor aktualisht nuk është projektuar sipas sugjerimeve të tij, pasi është zhvilluar në bazë të feedback-ut të Leclerc:

“Ka sfidat e saj, por po e shijoj këtë eksperiencë. Jemi duke punuar shumë për të sjellë përmirësime. Deri tani kemi pasur vetëm një përditësim, por presim të tjera së shpejti.”, tha piloti.

Vasseur mori drejtimin e Ferrarit në fillim të vitit 2023, pas largimit të Mattia Binotto-s. Edhe pse sezoni i kaluar ishte premtues me një diferencë të vogël ndaj McLaren në renditjen e konstruktorëve, këtë vit Ferrari është shumë pas, ndërsa McLaren dhe Red Bull kanë dominuar – me Piastri, Norris dhe Verstappen që kanë fituar nëntë garat e para.

Hamilton, që ndodhet 23 pikë pas Leclerc në renditjen e përgjithshme të pilotëve, e përmbylli me një mesazh të qartë: “Unë jam këtu për disa vite. Nuk ka dyshime për qëllimin tim – dua të fitoj me Ferrarin dhe me Fred.”