Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Mbretëria e Belgjikës kanë nënshkruar zyrtarisht Marrëveshjen mbi Zbatimin e Dënimeve.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga Gjykata Speciale e Kosovës ku ndër të tjera thuhet se sipas kësaj marrëveshjeje, personat e dënuar nga DHSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DHSK-ja dhe miratimit të Belgjikës.
“Kryetarja Ekaterina Trendafilova nënvizoi se zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për DHSK-në dhe theksoi: ‘Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DHSK-së për të kryer mandatin e vet’ ”.
Tutje në njoftim thuhet se kryetarja e DHSK-së ftoi gjithashtu edhe shtetet e tjera të ndjekin shembullin e Belgjikës në fuqizimin e kornizës së DHSK-së për zbatimin e dënimeve përmes arritjes së marrëveshjeve të ngjashme.
“Shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës deklaroi: “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dëshirojmë të shprehim mbështetjen e Belgjikës ndaj DHSK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare në tërësi. Me këtë marrëveshje, Belgjika tregon angazhimin e vet të palëkundur ndaj funksionimit të plotë të DHSK-së, sipas marrëveshjes midis BE-së dhe Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se në pajtim me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Presidentes së Kosovës, dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës dënimet e formës së prerë kryhen jashtë Kosovës.