Ballina Politika “Beteja vijon në Kolegj dhe SPAK”, Xhemal Gjunkshi kërkon hapjen e të...

“Beteja vijon në Kolegj dhe SPAK”, Xhemal Gjunkshi kërkon hapjen e të gjitha kutive në Dibër

19
0

Hapja e 42 kutive të votimit nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve nga 222 të tilla që ka Qarku Dibër, shtoi 66 vota preferenciale për Xhemal Gjunkshin, që ndonëse nuk merr mandatin, kërkon të jetë i pari në listën e hapur të PD.

Kandidati i koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, në një intervistë për A2CNN, tregon se betejën e tij do të vijojë edhe në Kolegj Zgjedhor, ku do të pretendojë rinumërimin e pjesës së mbetur të fletëve, që nuk iu pranua nga KAS.

“Unë nuk isha aspak dakord me vendimin që dha KAS, as përfaqësuesi i PD, për këtë arsye ne do t’i drejtohemi Kolegjit Zgjedhor”, tha Gjunkshi.

Rinumërimi i pjesshëm tregoi se shumë nga votat e tij kishin shkuar për kolegët e tjerë të listës së PD. Gjunkshi premton se të dhënat që ka mbledhur nga procesi do t’i depozitojë edhe në SPAK: “Sigurisht që ky është një hap i dytë që do të kryhet, por SPAK ka të gjithë autoritetin e nevojshëm për të ndërhyrë, sepse ngjarja ka ndodhur. Ka parë që tabela e rezultateve në 11 maj si kanë qenë dhe rezultatet e tjera. Atëherë ka një tjetërsim të votës”.

Kandidati i Partisë Demokratike pranon se tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve ka ndodhur në momentin kur është lexuar vota preferenciale për kandidatët: “Kam kërkuar që të hapen të gjitha kutitë, të hapen votat e diasporës. Të shohim se çfarë ka ndodhur dhe në fund secili të pranojë rezultatin që është”.

E teksa kandidatë të tjerë të Partisë Demokratike po bëjnë betejë për të arritur që të hyjnë në Kuvend, për t’u marrë kolegëve vendin e siguruar nga 11 maji, Gjunkshi thotë se e ka më parimore luftën e tij për hapjen e kutive, pasi kërkon vetëm renditjen i pari në listën e hapur të PD-së, ndonëse nuk mjafton për t’u bërë deputet.

“Kjo është një betejë për dinjitet, për moral”, thotë ai.